Serbia ka liruar tre policët e rrëmbyer të Kosovës. Analisti Gazmir Raci komentoi në Report Tv lirimin e policëve, ndërsa theksoi se Shqipëria ka pasur një rol të rëndësishëm duke i kërkuar në mënyrë të prerë Vuçiçit që t’i kthejë efektivët në shtëpinë e tyre. Ky veprim, për Racin është një dritë jeshile në fund të tunelit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shqipëria luajti rol të rëndësishëm duke i kërkuar Vuçiçit me këmbëngulje që të lirojë policët. Është një dritë në fund të tunelit që s’do kemi tensione, por normalizimi. Të shohim a do jetë e gatshme Serbia të kthehet në normalitet dhe të zbatojë pikat e planit franko-gjerman, aty ka qenë problem më i madh. Nuk duhet nëse ishte për atë marrëveshje, a e pranoi, a ishte e gatshme ta zbatojë. Insistimi Ramës për lirimin e policëve, ka qenë insistimi më i mirë që ka mundur të zbusë sa do pak këtë goditjen e pandërprerë që ia jepte Kurtit”, tha analisti Gazmir Raci.
Ndërkohë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha në emisionin ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga, se pas lirimit të policëve, Albin Kurti duhet të ulet në diskutime me të gjitha forcat politike në Kosovë për të folur për dialogun dh qëndrimin që do të mbajë Kosova. Po ashtu, Idrizi thekson se duhet një kohezion me politikën e Shqipërisë, që çështja të marrë një peshë më të madhe. Kreu i PDIU-së, tha se duhet edhe një raport shumë i mirë me SHBA dhe BE.
“Kurti ka të drejtë kur flet për godinat e komunave për kryetarët që kanë votuar me 2 ose 3, por nuk mund ta marrësh nëse nuk je në unison dhe pa mbështetjen e perëndimit. Ky është një hap pozitiv, qe duhet shfrytëzuar për të kthyer palët në tryezë. Nëse ka një ministri e cila nuk i përket qeverisë, është e jashtme, nuk i përkon qeverive, por shtetit. Interesi kombëtar është ai që i përket gjithë shqiptarëve. Do doja të shihja, në radhë të parë, që Kurti të kishte kohezion dhe dialog me forcat politike në Kosovë edhe për të ndarë peshën e vendimmarrjes, sigurisht edhe një kohezion me Shqipërinë, komisionet e jashtme dhe parlamente, duhej të ishim në kohezion kombëtar nëse do donim ta shtonim peshën. Kurti nga një anë dhe Rama nga ana tjetër është gjëja më e panevojshme në këto momente.
Pa mbështetjen e BE dhe SHBA nuk e realizojmë dot. Raporti i shëndoshe me Shqipërinë, bërja të qartë e inversit kombëtar, raporti me SHBA dhe BE, bërja qartë e politikës së jashtme, janë jetike për shqiptarët. Shqipëria nuk mund të jetë pasive, duhet të fute në lojë komisionet e jashtme, sigurisë, parlamenti në mënyrë që të flasim me një zë dhe ta ndihmojmë kapsulimin e kësaj krize”, tha Idrizi.
Një koment për qëndrimin e Ramës e pati edhe analisti Lorenc Vangjeli. Ai thotë se është hera e parë në histori, që një kryeministër shqiptar i drejtohet Serbisë me retorikë aq të ashpër, sa ajo e ngritjes së marrëdhënieve.
“Pavarësisht retorikës që ka ardhur duke u përshkallëzuar ndaj Kurtit, në javën që lamë pas kemi pasur deklarimet më të ashpra dhe të rënda të një kryeministri shqiptar ndaj Beogradit. Me mënyrën e duhur dhe forcën e duhur Rama paralajmëroi një ngritje të marrëdhënieve me Beogradin përpos lirimit të tre policëve, të largohej shkaku fillestar i ritensionit të situatës”, tha Vangjeli.
Pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, po ashtu edhe të Shqipërisë, Serbia liroi tre efektivët e rrëmbyer të Kosovës.