Forbes ka publikuar listën e përvitshme me 100 gratë më të pasura në SHBA, listë kjo e përbërë nga vajza të suksesshme që i kanë bërë vetë paratë, pra “selfmade” dhe jo të trashëguara apo që vijnë nga familja. Në këtë rendije ka emra mjaft të njohur të politikës, biznesit, por edhe ato që na interesojnë ne, vajzat e famshme të showbiz-it, ku përfshihen Rihanna, Taylor Swift, Beyonce apo edhe anëtaret e familjes Kardashian-Jenner, Kylie Jenner dhe Kim Kardashian.
Për t’i marrë me radhë, Rihanna renditet e 20-ta në listën e grave më të pasura, teksa këngëtarja e “Umbrella” dhe njëkohësisht sipërmarrëse e veshjeve dhe bukurisë ‘Fenty’ ka një vlerë neto prej 1.4 miliardë dollarësh. Forbes thotë se suksesi i saj vjen si nga muzika, ashtu edhe nga shitjet e kozmetikës. Taylor Swift renditet e 34-ta. Këngëtarja amerikane, aktualisht në tur, ka një vlerë prej 740 milionë dollarëh, pjesa më e madhe e të cilave, sipas Forbes, vjen nga albumet e saj rekord dhe të ardhurat nga biletat e turneut.
Beyoncé, e cila po ashtu po performon në Evropë si pjesë e turneut të saj botëror, renditet e 48-ta. Sipas Forbes, pasuria neto e saj është 540 milionë dollarë dhe vjen nga karriera e saj prej 3 dekadash në muzikë, pa përfshirë pasurinë e përbashkët me Jay Z. Oprah Winfrey renditet në vendin e 13-të në këtë listë, e ndjekur nga ylli i “Keeping Up with the Kardashians” dhe sipërmarrësja Kim Kardashian, ndërsa motra e kësaj të fundit, influencerja dhe biznesmenja, Kylie. Jenner, është në vendin e 38-të.
Sa i takon disa prej ikonave të muzikës: Madonna është në vendin e 45-të, Celine Dion është e 56-ta dhe Dolly Parton është e 59-ta. Aktorja dhe producentja Reese Witherspoon është po ashtu e 59-ta dhe producentja dhe skenaristja televizive Shonda Rhimes në vendin e 96.