30 Qershor, Vlorë- “Task-Forca ndërinstitucionale për sigurinë shëndetësore ka nisur punën me gatishmëri të shtuar në zonat turistike, me zero tolerancë për subjektet, të cilat nuk respektojnë kushtet higjieno-sanitare”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të përbashkët me Ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kunbaro në zonën e Lungomares në Vlorë, me inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.
Duke vlerësuar punën e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Ministrja Manastirliu tha:
“Janë më shumë se 950 subjekte të inspektuara, vetëm për qershorin janë 350 subjekte dhe jo vetëm në bregdet, sepse kjo është një punë rutinë, por nga ana tjetër edhe sa i përket masave që po marrim për sezonin turistik, kjo është një situatë gatishmërie. Për ne është shumë e rëndësishme që inspektorët e ISHSH, gjithashtu edhe me inspektorët e tjerë të AKU apo Agjencisë së Mjedisit, të mundet të bashkërendojmë forcat në mënyrë që inspektimi të kryhet për të rekomanduar masa për përmirësim, por edhe masa administrative, të cilat gjatë kësaj periudhe janë rreth 20 masa, sepse duhet të jemi të vendosur për të mos patur asnjë tolerancë, sa i përket shkeljeve që kanë të bëjnë me masat higjieno-sanitare”.
Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro ka vlerësuar punën e Task- Forcës dhe ka kërkuar bashkëpunimin e bizneseve në këtë pikë të sezonit turistik.
“Gjëja e mirë e Task-Forcës është që janë të koordinuar mes tyre, sepse nga ana tjetër, nuk duam të besdisim bizneset dhe të jemi më prezent se sa duhet, por po kërkojmë bashkëpunimin e tyre”,- u shpreh Kumbaro.
Nga Vlora, Ministrja Manastirliu theksoi se strukturat e shëndetësisë, janë të gjitha në gatishmëri të shtuar për të siguruar mbarëvajtjem e sezonit turistik.
“Ndërkohë që këtu është edhe qendër shëndetësore, e cila funksionon gjatë gjithë vitit dhe sigurisht me kapacitete të shtuara, ndërkohë që kemi stacionet e urgjencës, autoambulancat që gjithashtu janë të organizuara në pika të territorit që të aksesohet sa më shpejt spitali, gjithashtu në Vlorë kemi investime që jemi duke bërë për të rritur kapacitetet e Spitalit të Vlorës sa i takon shërbimit të Urgjencës”,- tha Manastirliu.
Strukturat inspektuese si, Task Forca ndërinstitucionale, por edhe strukturat e tjera shëndetësore janë të gjitha në një situatë gatishmërie. Janë 30 qendra shëndetësore verore me përforcim të personelit shëndetësor, me stafe të cilat trajnohen në vazhdimësi, për të menaxhuar rastet urgjente, e po ashtu përforcim i pajisjeve me barna dhe materiale mjekësore. Urgjenca Kombëtare është gjithashtu në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur të gjithë thirrjeve urgjente për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Home Lajme Aktualitet Manastirliu- Kumbaro në Vlorë: Task-Forcë ndërinstitucionale, zero tolerancë për subjektet që nuk...