12 Qershor, Tiranë- “Brenda një viti, mbi 70% e fëmijëve në shkolla janë depistuar për shëndetin oral” – Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në Shkollën “E Kuqe”, ku pa nga afër kabinetin e ri dentar.
“Në të gjithë vendin kemi arritur të depistojmë mbi 70% të fëmijëve në shkolla dhe ky është me të vërtetë një hap shumë i mire, që përgjatë një viti kemi arritur të kemi një volum punë shumë të madh të kryer, kjo falë punës së dentistëve tanë dhe gjithashtu organizimit shumë të mirë që ne kemi në territor përsa i përket këtij programi. Dhe sigurisht do të vijojmë në vitin e ri shkollor, me instalimin e njësive të reja dentare në qarqe të tjera të vendit, duke fuqizuar shërbimin denatar dhe duke i garantuar fëmijëve një kujdes shumë cilësor”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu, ndoqi nga afër edhe programin e shikimit në shkollën “E Kuqe”,, ku vlerësoi rëndësinë e këtij programi për shëndetin e fëmijëve.
“Një nga problematikat që keni gjatë punës tuaj është pikërisht ajo që ne e quajmë fokusi tek mësimi, përqendrimi tek mësimi dhe pastaj rendimenti dhe ajo që nxënësit japin. Ky është një program që të themi të vërtetën, nga momenti i fillimit deri më sot, na ka krijuar ne një mundësi që të kemi një vlerësim shumë të mirë. Përveç faktit se ne kemi depistuar më shumë se 136.000 fëmijë në shkolla, kemi arritur që të drejtojmë drejt mjekut specialist më shumë se 17.000 fëmijë të grup moshës 6-14 vjeç, të cilët kanë patur nevojë që të referohen tek mjeku specialist, për të bërë kontrollin më të detajuar të syve në mënyrë që të korrektojnë shikimin në kohë”,- tha Manastirliu.
Programi i shërbimit stomatologjik shkollor dhe ai i kujdesit për shikimin, i’u shërbejnë rreth 230 mijë fëmijëve të grupmoshës 6-14 vjeç. Pas ngritjes së 19 kabineteve të reja dentare në shkollat e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit, prej muajit shkurt ka nisur edhe ofrimi i një shërbimi të ri dentar për fëmijët e shkollave, kryesisht ne zonat rurale, me dy Njësi të Lëvizshme Dentare, ku janë kryer mbi 5 mijë depistime, teksa do të vijojë zgjerimi i këtij shërbimi me 18 kabinete të reja dentare gjatë 2023 edhe në qarqe të tjera të vendit.