Lionel Messi e mbyll me Paris Saint Germain. Lajmin e ka dhënë trajneri i klubit francez, Christophe Galtier, i cili në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Clermont, pranoi se argjentinasi do të luajë për herë të fundit në “Parkun e Princave”.
“Kam pasur privilegjin që të stërvit lojtarin më të mirë të historisë së futbollit. Nesër do të jetë ndeshja e tij e fundit në ‘Parkun e princave’. Shpresoj të respektohet në mënyrën e duhur’, deklaroi Galtier.
Duke folur për eksperiencën 2-vjeçare të yllit argjentinas në klubin francez, tekniku i PSG-së pranoi se veçanërisht në sezonin aktual, Messi u shndërrua në një element mjaft të rëndësishëm për skuadrën.
“Sezonin e parë iu desh të ambientohej, ndërsa këtë vit tregoi në fushë se ishte një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Kritikat për të i gjej të pavenda, pasi në një sezon të çuditshëm si ky i Botërorit ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë 22 asiste, duke qenë gjithmonë në shërbim të ekipit”, u shpreh trajneri.
Lionel Messi iu bashkua PSG-së në verën e 2021-shit dhe firmosi nëj kontratë 2-vjeçare, e cila skadon më 30 qershor të këtij viti. Pavarësisht ofertës nga klubi francez, ylli argjentinas vendosi të mos e rinovojë bashkëpunimin, kjo edhe për faktin që asnjëherë nuk arriti të krijojë afeksionin e duhur me tifozerinë e PSG-së, që e ka vërshëllyer dhe kritikuar në jo pak raste.
E ardhmja e Messit është ende për t’u vendosur, pasi Barcelona po bën përpjekje për ta rikthyer aty ku shkroi historinë e futbollit për shumë sezone, teksa opsione mbeten edhe Arabia Saudite e ShBA-ja.