Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ndodhet për një vizitë zyrtare pune në Bavari me ftesë të sekretares së Shtetit në Ministrinë e Bavarisë për Arsimin dhe Kulturën, Anna Stolz.
Gjatë takimit me znj. Stolz dhe disa deputetë të parlamentit bavarez, Ministrja Kushi bisedoi rreth forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit që tashmë ka nisur mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Javën e ardhshme një delegacion bavarez pritet të vijë në vendin tonë për të konkretizuar disa marrëveshje të rëndësishme.
Gjatë vizitës, Ministrja Kushi mori pjesë edhe në një seancë plenare, ku nuk mungoi mikpritja e ngrohtë dhe përshëndetja e veçantë për delegacionin shqiptar nga Nënkryetari i Parlamentit Bavarez dhe deputetët të parlamentit.