Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt në Budva, Mali i Zi. Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar si një pjesëmarrëse aktive dhe një kontribuese domethënëse e SEECP-së, teksa shtoi se “kemi nevojë që BE-ja të ruajë momentin e ri të procesit të zgjerimit përmes veprimeve konkrete”.
“Ekziston nevoja për një rrugë të besueshme dhe të parashikueshme drejt BE. Vendet e rajonit kanë përgjegjësinë për të qenë të përkushtuar ndaj dialogut dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë. Por ne gjithashtu kemi nevojë që BE-ja të ruajë momentin e ri të procesit të zgjerimit përmes veprimeve konkrete. Shqipëria këtë vit kryeson Procesin e Berlinit dhe jemi të bindur plotësisht se Samiti i ardhshëm në Tiranë do të sjellë rezultate të prekshme në krijimin e një kohezioni ekonomik më efektiv në rajon”, tha ajo.
Maqedonia e Veriut do të jetë kryesuesja e radhës e SEECP, teksa Shqipëria pritet të marrë kryesimin e SEECP për periudhën 2024-2025.
Presidenca e SEECP-së konsiderohet me rëndësi duke qenë se ky është forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore që përfshin shtete me rëndësi strategjike për Shqipërinë.