Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj, e lindur në SHBA dhe tashmë prej vitesh ushtron karrierën përtej oqeanit, ishte e ftuar në podcasting e radhës të kryeministrit Edi Rama. Emina Cunmulaj vazhdon të mos e harrojë origjinën e saj shqiptare, duke qenë edhe një nga mbështetëset e mëdha të shqiptarëve.

Por, kësaj here Çunmulaj rrëfeu përballë kryeministrit Edi Rama vështirësitë me të cilat është përballur në jetë, derisa plotësoi ëndrrën e saj për të qenë një modele e njohur në mbarë botën. Çunmulaj tha se vështirësitë kanë qenë të shumta, nga përballja me mentalitetin në fshatin ku jetonte në Malin e Zi deri në moshën 15-vjeçare, e deri vështirësitë financiare që ka hasur kur ka shkuar në Itali për t’iu përkushtuar modelingut. Në disa raste ajo tregon se nuk kishte as bukë për të ngrënë.

“Unë s’kam pasur bukë të ha kur kam qenë në Itali, në apartament me modele. Kjo është diçka që ndoshta s’ia kam treguar dikujt në jetë sepse janë vështirësitë e mia dhe të rrinë me mua. Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë 15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’

-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull. Shkoja të flija, barku më dhimbtë”, rrëfen ajo.

E pyetur nga kryeministri Edi Rama, se përse është kaq e lidhur me Shqipërinë, ajo thotë se kurrë nuk i harron rrënjët shqiptare, ndonëse lindi në SHBA, por në moshën 5 vjeçare u kthye në Mal të Zi për të jetuar për disa vite me radhë, derisa karriera në modeling e ktheu në SHBA. Sakrificat e nënës së saj në kohën e luftës së Kosovës për të ndihmuar refugjatë, i janë ngulitur thellë në mendje, e pikërisht për këtë arsye modelja shqiptare thotë se do i ndihmojë gjithmonë ata shqiptarë që janë në nevojë.

“Ushtria jugosllave na ruante shtëpinë, na vinte dhe sillej rreth e rreth shtëpisë për të parë a kemi refugjatë në shtëpi se babi kalonte me sule këtej. Nëna ime rrobat tona ua jepte fëmijëve, i jepte të hanin dhe në mes të natës i kalonin në Shqipëri. Këto janë gjëra që kur je fëmijë ndikojnë tek ty, por ti nuk i di ato gjëra derisa të rritesh një ditë. Mua nëna më ka vdekur tash 10 vite. Ajo pjesë e saj nuk më le të fle rehat, kur e di që njerëzit e tjerë nuk janë rehat. Edhe aq më shumë për popullin tim. Nuk di, është diçka që është shumë më e madhe se vet. S’mund ta shpjegoj”, tha ajo.

Në nisje të podcast, Rama tha se Çunmulaj është duke pritur edhe konfirmimin si “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë” në Florida.

“Ky është episodi i 11-të i podkastit “FLASIM” dhe përballë meje është një ndër shqiptaret më të gjata dhe më e gjata që kam takuar prej shumë kohësh, kaq e gjatë saqë tavani i shtëpisë në Tuzin e Malit të Zi, është bërë shpejt shumë i ulët, pastaj tavani i Europës është bërë prapë i ulët dhe ka dalë në gjatësinë e vetë, në anën tjetër të oqeanit, në Florida, ku aktualisht është duke pritur edhe konfirmimin si “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë”, Emina Çunmulaj”, tha Rama.

Rama e pyeti edhe përse është angazhuar në politikë, pasi Çunmulaj është parë në krah të Nik Gjeloshit në zgjedhjet që u mbajtën në Tuz të Malit të Zi. Modelja shqiptare tha se për 30 vite ata që kanë qeverisur Tuzin nuk kanë bërë asnjë investim dhe për këtë do luftojë që jeta e shqiptarëve të përmirësohet.

“Unë kur e shoh Tuzin sot, që zhvillohet dhe vazhdon të zhvillohet, do të luftoj për të ardhmen e popullit shqiptar. Aty, në trojet shqiptare të Malit të Zi. Thjesht, asgjë tjetër. Unë Nikën e shoh si dikush që ka ardhur në pushtet dhe ka bërë shumë gjëra që nuk si kanë bërë njerëzit përpara, që e kanë pasur për 30 vite. Unë sot i mbush 38 vjet. Është hera e parë në Mal të Zi që rruga është asfaltuar deri te shtëpia ime si duhet. Gjynah! Turp! Pse se kanë bërë të tjerët? Kanë pasur buxhetin. Janë gjëra të thjeshta. Janë gjëra elementare që të ekzistojë vendi, që t’i kemi dhe ne kushtet si malazezët.

Shkolla fillore që kam qenë, është hera e parë që e kanë rinovuar. Pse s’është bërë kjo para 30 vjetëve? Një ambulancë e kemi 24 orë. Në një prag emergjence, të ndodh diçka me fëmijën në 2 të mëngjesit, të ikësh në Podgoricë? I jap fëmijës diçka për të ngrënë, i mbetet në fyt, çfarë të bëj? Derisa të mbërrij në Podgoricë, çfarë do ndodhë? Të më vdesë fëmija rrugës? Është hera e parë që kemi drita në Tuz si duhet. Të ecësh natën dhe të shohësh dikë, një shesh. Falë jush dhe bashkisë Tiranë, kemi një shesh të bukur në Tuz. Këto janë gjëra që nuk mund të shkojnë pa u parë. “you can’t turn a blind eye to things that you see’’. Thjesht kjo! Kjo tani quhet politikë, në rregull, s’ka problem, por për mua është dashuria drejt popullit tim dhe ata që besoj që e meritojnë”, tha Çunmulaj.

Ndër të tjera kryeministri Edi Rama e ka falënderuar modelen që herë pas here promovon Shqipërinë dhe trojet shqiptare nëpër botë.