Nga Alba Malltezi/
Në dukje Albin Kurti ka të drejtë. Për populistët. Për ata që e shohin një situatë në sipërfaqe, pa kuptuar aspak rrjedhën dhe pasojat e ngjarjeve. Albin Kurti po bën atë që kërkon ndërgjegja e sëmurë dhe e ngurtësuar nacionaliste: A ç’ja bëri mirë shkjaut! Po mbron interesat e Kosovës!
Rezultati i veprimeve të Albin Kurtit nuk duhet parë tek ai, apo tek ata që sot e duartrokasin, as te Edi Rama dhe as te serbët. Çdo gjë që ai po bën sot ka vetëm një pasqyrë përballë: Reagimin e ndërkombëtarëve. Dhe jo të kujtdo ndërkombëtarë, por të SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian.
Në Itali, ekzistojnë akoma disa komunistë idealistë, identikë si Albin Kurti. Janë ata që kur gjenden në opozitë e masin botën me sytë e vlerave dhe të idealeve të një vendi që ka luksin të jetojë prej shumë vitesh në demokraci, por kur prekin pushtetin, sillen edhe më të pasigurtë nga një fëmijë. Dëgjohen të thonë se rezistenca e Ukraninës ndaj Rusisë është e padrejtë, se gjithçka po ndodh sepse SHBA-të duan pushtet në Evropë dhe se kanë sajuar gjithçka që Rusia të humbë pushtetin e saj dhe influencat e saj në botë. Këto janë fjalë tipike të kujt nuk e vë veten nën lëkurën e cilitdo ka njohur apo ka jetuar në një diktaturë, në një izolim lirie dhe ëndrrash, si shumica e vendeve të bllokut komunist.
Komunistët e sotëm të Italisë nuk mund të kuptojnë se çdo të thotë për një ukrainas të nënshtrohet ndaj një autoritari, ndaj një diktatori, që me siguri, është i mrekullueshëm për çdo rus që me të nuk ka asnjë konflikt. Por ç’është Putin për një rus, një ukrainas që nuk e mendon njësoj si ai? E kemi parë shumë qartë në veprim.
Albin Kurti, njësoj si disa komunistë sot në Itali, nuk e ka provuar izolimin e egër të Shqipërisë. Në fatkeqësinë e ndodhjes në Ish-Jugosllavi, lira e lëvizjes, e pronës dhe e besimit e udheheqjes së Titos për të gjitha republikat Jugosllave, ishte një realitet që nuk mund të krahasohej me çmendurinë e izolimit enverist. Prandaj sot Albin Kurti nuk mund ta kuptojë as Edi Ramën, as këdo tjetër që është i shqetësuar për ngurtësimin dhe rrezikun e izolimit të tij dhe të Kosovës nga miqtë e vlerave më të larta demokratike në botën e qytetëruar.
Demokracia që kemi fatin të shijojmë sot është një mrekulli që lejon edhe vetë mbijetesën e atyre që e kërcënojnë me shfarosje. Por ama i lejon, i dëgjon e përpiqet t’i korrigjojë me forcën e logjikës, negociatës, dialogut, hapjes mendore dhe shpirtërore.
Ndaj, mos ja përkedhelni ndërgjegjen e sëmurë Albin Kurtit. Eshtë e kotë, ai nuk e ka as kulturën dhe as thjeshtësinë të kuptojë se po rrezikon një vlerë dhe miqësi shumë të madhe. Shpresojmë që Vjosa Osmani dhe pjesa më e mirë e Kosovës, të dijë ta bëjë mirë këtë dallim.