Franca po ‘vlon’. Protesta, trazira, plaçkitje në rrugët kryesore të Parisit, por edhe në qytetet e tjera pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga një efektiv policie. Mbrëmë ishte nata e tretë e trazirave, ndërsa deri më tani ministri i Brendshme Gérald Darmanin bën me dije se janë arrestuar 667 persona. Autoritetet kishin mobilizuar 40.000 oficerë në të gjithë Francën, ndërsa dëmet janë të mëdha, stacione policore e makina të djegura nëpër rrugët e Parisit, xhama të thyer e dyqane të grabitur.
Për shkak të situatës, presidenti francez Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje urgjente qeverie që do të mbahet në orën 13:00 me orën lokale. Kreu i Elysee, i cili ndodhet në Bruksel do të kthehet në Paris më herët nga sa e kishte planifikuar.
Ndërkohë, polici që qëlloi për vdekje 17-vjeçarin i ka kërkuar falje familjes. Ai ndodhet në paraburgim, ndërsa avokati i tij tha se është i shkatërruar.
“Fjalët e para që ai tha ishin për të thënë falje dhe fjalët e fundit që tha ishin për t’i kërkuar falje familjes,” tha Laurent Liénard në BFM-TV.
Nëna e Nahelit, Mounia udhëhoqi ditën e djeshme protestën, ndërsa tha se ajo nuk fajëson të gjithë policinë, por vetëm oficerin që qëlloi për vdekje 17-vjeçarin. Ajo mbante një bluzën të bardhë në të cilën shkruhej “Drejtësi për Nahelin”.
Transporti publik në Paris do të vijojë i ndërprerë edhe ditën e sotme, ndërsa protesta pati edhe në Roubaix, Marsejë dhe në Nante.
Përse ka trazira në Francë?
Këto protesta vijnë pasi një polic në Francë qëlloi një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, të martën e kaluar në Nanterre, në periferi të Parisit. 17-vjeçari Nahel po drejtonte një Mercedes pa patentë nuk është ndalur sipas kërkesës së dy efektivëve. Pas të shtënës, makina ecën disa mera dhe më pas përplaset. Adoleshenti, i quajtur Nahel M, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës. Oficeri i akuzuar se e qëlloi është arrestuar me akuzën e vrasjes.