Dhjetëra kamionë të ngarkuar me prodhime shqiptare janë bllokuar prej dy ditësh në pikën kufitare të Vërmicës në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Shkak është bërë vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndaluar çdo automjet të transportit të mallrave me targa serbe për të hyrë në territorin e vendit, por kjo ka dhënë efekte negative edhe për prodhimet shqiptare.

Drejtuesit e kamionëve thonë se ndalimi ka ardhur pa paralajmërim, pavarësisht se malli është shqiptar dhe destinacion ka Kosovën.

”Prej tre ditësh jemi këtu, për shkak se qeveria e Kosovës nuk lejon hyrjen e automjeteve me targa serbe. Kemi mallra shqiptarë të ngarkuar për ti dërguar në Ferizaj. Nuk është normale kjo. Kemi ble ushqime të shpejta. Jemi detyruat të marrim taxi për të shkuar në qytet për të blerë ushqime”.

“Ndaj qëndrim të njëjtë si kolegu im. Kemi ble ushqime, ujë me taxi dhe po flejmë në kabinën e automjetit. Shumë problem me qëndru në kufi. Duhet me ble çdo ditë ushqime. Jemi pa larë, me zi kryejmë nevojat jetësore. Dje kanë qenë më shumë kamion në kufi dhe janë kthyer. Kanë ik nga Mali i Zi për tu futur në Serbi”, tha një kamionist serb.

Përveç shoferëve të kamionëve, edhe dërguesit dhe pritësit e mallrave apelojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj situate të cilën e cilësojnë absurd, duke e bërë tregtinë si viktimë të politikës. Radhë të gjata kamionësh janë shënuar prej 3 ditësh edhe në pikat e tjera doganore të Kosovës, sidomos ato me Serbinë në veri të vendit.