Nga Kristo MËRTIRI/
Preka, malësori shkodran me një shqiponjë floriri te varësja nën gushë, ishte refugjat si gjithë të tjerët. Kalonte gati përditë nëpër udhët e zemrës së Athinës, përqark sheshit “Omonia”, sidomos kur ngelej pa punë sezonale. Ose më saktë “punë në të zezë”. Ilegal pronari, ilegal punëtori me mëditje ! Të dyja palët i fshiheshin kontrollit tatimor e policor. Me dokumente personale apo fare pa to. Të sakta e shumica kallpe! Pak mund të komunikonin greqisht. Mjaftoheshin me “garancitë” e vërtetimeve që lëshonin sekserët e matrapazët (paguar nën dorë e mbi dorë) me vula e pa vula, me firma e pa firma. Hajdutët e “moderuar” dhe në dukje disi “shpirt njeriu” u qanin hallin nën petkun e shoqatave bamirëse me emrin tingëllues “vorioepiriote”. Treg fitimprurës i veçantë për gjahtarët e të papunëve hallexhinj, por edhe për ata pa ndonjë dokument “zyrtar” në xhepa. Dhe ndryshe nga ca megalomanë e “patriotë” të krekosur që i pagëzonin me përbuzje “matrapazë politikë”, unë i etiketoja vazhdimisht si shushunja e “xhambazë ekonomikë”. Shumica e tyre, jo vetëm që ishin injorantë në fushën e Polit(h)ikës por realisht dëmtonin pa masë edhe vetë qarqet e vjetruara ekstremiste që ende synonin në thelb shtimin e numrit me “ushtarë të Vorioepirit”. Megjithëse binin ndesh me qëndrimet e matura shtetërore për publikun e gjerë. Për mua dhe kolegët e mi profesionistë që i njohëm nga afër, ata pehlivanë të parave pa djersë ishin dhe mbetën sot e kësaj dite “xhambazë ekonomikë”, mashtrues e abuzues të rëndomtë me fatgremisurit nga Shqipëria. Dhe jo vetëm me këta. Botë hallemadhe, që herë të hedh e herë të pret si kokërr portokalle! Nuk thosh kot hokatari Prekë “këtu njëri është i marrë, o ti, o unë !”. Dhe largohej me hap sorkadhi përkrah lumit të makinave. Po kur e kapnin në autobus si të “paligjshëm” dhe e çonin në stacionin policor më të afërt ?
Duke zotëruar mirë të folmen greqisht, shpesh tallej “seriozisht” me disa punonjës policie. Nuk më ikën nga memoria një rrëfim i tij te kafe “Kaceli”, as 10 metra larg kioskës “Everest” ku vinte edhe shtypi shqiptar. Bashkëvuajtësit buzëpaqeshur, në shoqërinë e tij nuk mund të rrinin dot pa vënë buzën në gas. Ishte vërtet si një dritëz e pakët gëzimi mbi fytyrëvrarët refugjatë me hallet e paqara as nga malet me dëborë. Një herë, ashtu të papunë, e karfosën në paraburgim. Në qeli u njoftua se do të kalonte para trupit gjykues. Avokati ia preu shkurt: -Nuk shpëton dot pa u dënuar me jo më pak se 3 muaj heqje lirie… Dhe aty për aty, mendoi të përshtaste një anekdotë shkodrane si barkë. Dhe e tregoi lirshëm në sallën e gjyqit :”Atë vit dimri bëri herët dhe qe i egër, me borë e ngricë. Salja qe pa familje, pa punë, pa shtëpi. Kur e qesin para trupit gjykues, prokurori flet me të egër: – Prap ti këtu ? Si s’u binde, ma!
-Pooo, se kam luejtë mendsh m’u bindë !
Prokurori nxehet, kthehet nga trupi gjykues dhe kërkon dënim minimal me tre muaj burgim. Salja, sa e ndien, kërcen dhe flet:
-Ju lutem, zoti kryetar, zotni prokurori ka lypë pak !
-Paak ?
-Po ! Më dënoni gjashtë muaj !
-Po pse, neni i Ligjit kaq thotë.
-Nuk di ç’thotë ligja, unë di vetëm këtë: Ku dreqin do ta shkoj këtë dimër ? Zjarr jo, ushqim jo, veshje e mbathje jo, pare jo…më mirë se aty në burg s’jam kërkund! Pra, më futni atje dhe, kur të nisë vera, më nxirrni prapë…”.
Trupën gjykuese dhe sallën i mbuluan të qeshurat nën zë. Ndërsa Preka shpëtoi paq. Ai “të varte në qese të duhanit”!…Dinte të fshikullonte e tallej vendshe edhe me ndonjë kokëtul që ngulte këmbë si mushka rreth politizimit të yshtur e të ndryshkur me etiketën “vorioepiriot”. Dikë nga Himara që lëshonte shkumë nga goja për përkatësinë etnike, ai e thërriste jo pa shpoti “vorioqimariot”! Dhe citonte seriozisht kapedanin e Bregut të Detit, mikun tim të dashur, Petro Markon e papërsëritshëm. Por një ditë ishte trishtuar gjer në dëshpërim: Në kafenenë e marrë me qera nga dy himariotë, kishin goditur e fyer rëndë Dinin, aktorin shqiptar refugjat nga Gjirokastra. E goditën faqezinjtë. Përse vallë ? Sepse aktori i mirënjohur fliste vetëm Gjuhën e Nënës labe, fliste shqip (?!). Fliste njëlloj si te filmat “Njeriu me top” e gjer te “Skëterrë ’43, pa përmendur këtu mjaft drama e role të interpretuara me mjeshtëri në skenën e Teatrit Profesionist. Ky ishte dhe mbeti “faji” i tij ! Dhe nuk iu nënshtrua urdhërit absurd të himariotit të çartallosur…Këtë episod të hidhur e kujtuam ditët e fundit në qytetin e gurtë, kur aktori kuçiot Kudret Alikaj recitoi dhjetra vargje, pas një veprimtarie gjurmëpatharë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Mirëpo, pushteti i fjalës “gatuan male, por edhe kakërdhi”. Në pluralizëm, disa llafollogë egërshanë pa anë e fund, ardhur si të arratisur e të babëzitur nga lëndinat e Bujqësisë e të Ushtrisë, kanë vite që menderosin nëpër “tualetet” e medias së shkruar dhe krekosen si gazetarë akshami e sallami me spaleta (më saktë: me pafille të dhuruara xhaba nga ndonjë President karagjoz, pa kulturën më minimale publicistike dhe pa njohuritë elementare të Gazetarisë!). Papërgjegjshmëri dhe paaftësi sipërore e mendore, që mbushin me të pëgëra mjerisht tempullin e fjalës së shkruar. Sa për ca “qimariotë” që kërkojnë qiqra në hellin “etnik”, profesori i nderuar i Gjuhësisë, Rami Memushi, e tha shkoqur e qartë edhe ditët e fundit :” Jo pakicë greke në Himarë, por himariotë me shtetësi shqiptare dhe greke”.
Kjo botë e krokolepsur “e mbushur plot me rezilë” (të paemër e të pafytyrë), ndoshta nuk shëmbëllen me qeraxhinjtë e Grebenesë që merrnin përsipër t’i bënin “të fala Nënesë”, nuses lehonë a me barkun te goja teksa prisnin e prisnin pa fund kurbetlinjtë e përvëluar nga malli dhe vetmia vrasëse. Mund të pëlciste edhe vetë kali e mushka, por jo shpresa e besimi ! Gjurmë erërënda pikonin ende edhe rreth sheshit “Omonia”, veçanërisht të dielave ku takoheshin refugjatë nga shtete të ndryshme. Të dukej vetja si brenda një kontinenti të çuditshëm. Ndërsa ato pak këngë popullore shqiptare, herë me zë të ulët e herë me zë të lartë, pikonin helme e zehere. Edhe këto nuk i shpëtonin dot rrjetës policore “vorioepiriote”, ku vrisnin veshët e ndonjë “nacionalisti” të thekur a racist budalla. Por disa arvanitas të moshuar nuk i fshihnin dot lotët për Gjuhën e Nënës. Dhe thërrisnin në ndihmë historinë, kur kryetari i parë i bashkisë së Kryeqytetit grek, fjalimin e parë publik e paska mbajtur shqip ! Rreth një gote birre a vere, jo shumë larg kafenesë me “pronarë” himariotë , miku im përmetar Vaskë Logo (kronikan i paarritshëm në emigracion, me zë e figurë), që sot prehet nën kodrën e Bolëngës bashkë me usta Laver Bariun, gati po më lutej të kryeja rolin e hedhësit në këngë. Qëroi grykën me pak ujë të bekuar Përmeti dhe me zërin e tij bubullimë, shkrepi fort këngën shqiptare: “Kush është lule e vilajetit,/ Himara në Breg të Detit…”. Më thoni, në cilën gjuhë të botës tingëllon më bukur ?! Pa mbaruar ende, afrohet kamarieri vetullngrysur dhe transmeton prerë “urdhërin” e pronarit namusqar: “Nuk lejohet në lokal !”. U ndez një sherr jo dosido, që u rrokullis gjer në rrugë. Madje Tomori, dhëndërr në minoritet, u përlesh keq me një sojsëz që lejonte vetëm këngë greke ose “vorioepiriote”…
Prekë Pëllumbi, mjeshtri i komunikimit në shqip e greqisht dhe me humorin e tij të pashtershëm e fin, e gjeti aty për aty shtegun e shpëtimit: Na ftoi te lokali “Argjiro” ! E menaxhonte miku ynë Vangjel Qiqi, ish-punonjës tregtie i zoti në Gjirokastër. Minoritar i zgjuar e dinjitoz, që e kish pagëzuar me atë emër jo pak emocionues. Vërshuan prapë këngët popullore shqiptare. Nuk u qasën as skifterë policie e as “xhambazë ekonomie” nga zyrat e mykura “vorioepiriote”. Se Polit(h)ikës së vërtetë i merrnin të keqen! Intelektualët dhe shkrimtarët kokëplotë grekë e arvanitas, as që i begenisën ndonjëherë ato zyra fantazmë që shpesh thithnin si shushunjat gjakun dhe djersën e fukarenjve mërgimtarë. Në fundvitin ’98 e fillimvitin 1999, kur po dëgjohej gjëmimi i UÇK-së në Kosovë, mijëra shtetas shqiptarë marshuan përmes udhëve të Athinës në mbështetje të vëllezërve matanë kufijve e maleve ! Por unë kujtova edhe një shënim tepër domethënës të historianit skrupuloz, Pëllumb Xhufi, ku na bën me dije se “kronisti bizantin Jeraku zbulon se në betejën e Kosovës(qershor 1389) morën pjesë edhe krerë të tjerë shqiptarë nga Himara(Akrokeraunet) e nga Epiri…”. Përkatësia dygjuhësore e fshatrave (3 greqishtfolëse dhe 4 shqipfolëse), nuk e ndali e as e fiku zjarrin e atdhetarisë dhe të shqiptarisë. Përkundrazi. Historia ka mbajtur e mban shënim. Por këngën në gjuhën dhe buzët e bashkëstudentit e të gazetarit trim nga Dhërmiu, Llambro Ruci, në mjediset e Fakultetit, nuk mund ta harroj : “O Himarë plot me mënde,/ nuk u dhe, e nuk u tunde,/ keshe besë dhe kuvende,/ e para kudo u gjënde !…”. Shkurt, djallësirat dhe kartat e djegura “vorioepiriote”, i kapërcejnë gjerdhet donkishoteske. Dje, sot dhe nesër …