Nga Etleva Delia
Një person në kërkim, që zgjedh të jetojë në arrati, ka vetëm një synim. Lirinë. Do provojë me çdo kusht të tregojë që është i pafajshëm, edhe atëherë kur nuk është. Në mënyra të ligjshme apo të paligjshme, ka vetëm këtë qëllim.
Por arratia ka kostot e saj, qoftë edhe financiare. Për disa të tjerë, jeta në arrati vazhdon njësoj sikur të mos kenë asnjë problem me Policinë.
Statusi i tyre shoqëror është i ndryshëm. Ndonjëri njihet si biznesmen. Dikush tjetër si “i forti” i qytetit. Për dikë flitet se është person i rëndësishëm. Ndërsa një tjetër njihet gjerësisht si person mjaft i rrezikshëm. E madje ca të tjerë mitizohen.
Por të gjithë kanë një të përbashkët. Janë persona në kërkim.
Përveç kësaj, kanë edhe të përbashkëtën tjetër. E sfidojnë herë pas here drejtësinë. Ndonëse në arrati, disa edhe prej vitesh, lëvizin lirshëm. Kryejnë veprime ligjore. Firmosin kontrata noteriale. I drejtohen edhe Gjykatës për lehtësim të masës së sigurisë që kanë marrë në mungesë. Madje kalojnë edhe kufirin, me dokumentet identifikimi origjinale.
Të tjerë kryejnë sërish krime. Në jo pak raste kemi dëgjuar nga Policia: Shpallet në kërkim i kërkuari…
Apo dikush tjetër që bëhet objekt atentati. Policia nuk e gjen ama hasmi, jo vetëm të gjen, por ndodh që edhe të vret.
Kjo është një histori që përsëritet. Herë nga paaftësia e herë qëllimisht këta persona, nuk kapen asnjëherë.
Mbeten vetëm emrat dhe skedat kriminale në listat e personave më të kërkuar të Policisë së Shtetit dhe asgjë më shumë.
Vetëm pak ditë më parë, një i kërkuar u shpall në kërkim. Dhe kjo u zbulua pas arrestimit të një gruaje, e akuzuar për mashtrim.
Arrestimi i ish-punonjëses së Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, nxori në skenë emrin e një personi të kërkuar nga Policia e Shkodrës.
Në dosjen e Prokurorisë përveç veprimeve hetimore në lidhje me akuzat e ngritura ndaj 33-vjeçares Deraj, jepen detaje edhe në lidhje me personin në kërkim, Abedin Ferracaku, i njohur edhe me mbiemrin Verracaku.
Ai bashkë me dy vëllezërit e tij janë shpallur në kërkim në vitin 2021, si bashkëpunëtorë në masakrën e Velipojës, ku mbetën të vrarë 4 persona, mes të cilëve edhe kamarieri që u vra aksidentalisht në ditën e parë të punës.
E megjithëse është i kërkuar, Abedin Ferracaku, rezulton se lëviz i lirshëm në Shkodër madje ka udhëtuar disa herë edhe drejt Tiranës. Lëvizjet e tij janë rrëfyer nga e arrestuara Milena Deraj, por bëhen të besueshme pasi konfirmohen edhe nga deklarimet që i janë marrë kushërirës së tij.
Por Abedin Ferracaku nuk është i kërkuari i vetëm që sfidon Policinë.
Suel Çela prej disa vitesh ka qenë në kërkim për vepra të ndryshme penale nga Policia e Elbasanit. Kur kërkohej për përplasjen me Policinë tek tregu Agro-Ushqimor nuk u ndalua në asnjë moment, megjithatë kjo nuk e pengonte që të firmoste prokura tek noteri dhe të kërkonte në gjykatë zëvendësimin e masës së arrestit. Të njëjtën gjë bën edhe tani. Madje ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër gjithmonë ka pasur informacione për lëvizjet e tij, madje edhe jashtë vendit, por Policia asnjëherë nuk e ka ndaluar. Së fundmi ai është në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili pretendon se Suel Çela e ka porositur për dy vrasje.
Erjon Llapushi është një tjetër i kërkuar, i akuzuar për vrasje, që lëviz lirshëm në Tiranë dhe Pogradec ku ka vendbanimin.
Talo Çela, nga ana tjetër, një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, vitin e kaluar i shpëtoi një atentati në Elbasan. Ndonëse Policia nuk e gjente për ta arrestuar, vrasësit dinin çdo lëvizje të tij. Ai i shpëtoi këtij atentati duke u kundërpërgjigjur me armë.
Por nuk e pati të njëjtin fat Fabian Gaxha që mbeti i vrarë gjatë konfliktit në ish-Bllok, në vitin 2018. Ngjarje ku u plagos edhe miku i tij, Ervis Martinaj. Gaxha, rezultoi të ishte në kërkim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, megjithatë për së gjalli nuk ra kurrë në duart e Policisë.
Ibrahim Lici është një emër që u bë i njohur në Shkodër, por më pas bëmat e tij nisën të përhapen në të gjithë Shqipërinë. Për shumë kohë askush nuk dinte asgjë rreth të kërkuarit për vrasje. Ai sfidoi herë pas herë autoritetet shqiptare, madje edhe kur u mendua se Policia ra në gjurmët e tij në Turqi, u zhduk edhe atje.
Ervis Martinaj, është denoncuar i humbur nga familjarët, por deri tani asgjë nuk është provuar nga Policia dhe Prokuroria. Megjithatë deri më datë 9 gusht kur u denoncua i humbur, ai kishte lëvizur lirshëm edhe pse ishte shpallur në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Madje edhe ishte ndihmuar nga punonjës Policie, siç edhe rezultoi me arrestimin e efektivit Jeton Lami.
Abedin Ferracaku: I kërkuar në lidhje me masakrën e 4-fishtë në Velipojë
Abedin Ferracaku, 32 vjeç, banues në Shkodër, rezulton në kërkim nga Policia e Shkodrës për vrasje në bashkëpunim.
Ai dhe vëllai i tij, Shyqyri Ferracaku, janë të shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa së fundmi, të dy vëllezërit dhe babai i tyre, Hasan Ferracaku, janë shpallur në kërkim policor nga Policia e Tiranës për kanosje dhe vetëgjyqësi.
Milena Deraj, e cila u la në burg për mashtrim pasi përfitoi qindra mijëra euro, në seancën e datës 26 maj ka deklaruar se është kërcënuar nga 4 banda, pasi nuk mbajti premtimin për të hequr 2 burgime të përjetshme.
Deraj në deklaratën e saj para trupës gjykuese ka pretenduar se i kishte marrë paratë nga familja Ferracaku. Ajo ka marrë një shumë prej 340 mijë eurosh me pretendimin se njihte avokatë që do të favorizonin dy persona nga kjo familje që janë shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur në Velipojë 2 vite më parë.
Sipas Derajt me këtë shumë ajo do të mundësonte heqjen e dënimit të përjetshëm dhe mundësinë për një gjykim të shkurtuar, dhe nëse nuk do ta realizonte një gjë e tillë do të kthente shumën, gjë që nuk ka ndodhur.
Ajo gjithashtu në kallëzimin e saj ka pretenduar se anëtarët të familjes Ferracaku dhe katër banda kriminale e kanë kërcënuar për t’i kthyer shumën monetare.
E teksa flet për familjen Ferracaku, ajo që bie në sy është fakti se si një person në kërkim për vrasje, siç është Abedin Ferracaku, ka lëvizur disa herë nga Shkodra në Tiranë për ta takuar duke i dhënë paratë. Pohimet e Milena Derajt mund të merren me rezerva, por bahen të besueshme kur edhe e afërmja e Ferracakut, konfirmon vizitat e tij në zyrën e saj në Tiranë.
Milena Deraj: “Kam shkuar në zyrën e Afërdita Ferracakut, në qendrën e kurseve profesionale që ajo ka në Astir dhe aty kam takuar Abedin Ferracakun. Afërdita na ka prezantuar dhe më pas na ka lënë vetëm. Në bisedë e sipër Abedini më ka treguar rrethanat e një ngjarjeje që kishte ndodhur në zonën e plazhit të Velipojës në Shkodër, duke treguar se për këtë vrasje babai është në burg, ndërsa tre të tjerët janë në kërkim për të njëjtën dosje. Abedini më ka kërkuar që t’i gjeja një avokat për të marrë një masë më të lehtë”.
Ky rrëfim dëshmon udhëtimin e parë të Abedin Ferracakut nga Shkodra në Tiranë. Dhe në vijim, Milena Deraj tregon edhe takime të tjera që ka pasur me të në ditët në vijim, po në Tiranë.
Momentet kur ka komunikuar me të nëpërmjet aplikacionit “Signal”, apo edhe “Whatsapp”, dhe takimet kur ai i ka dorëzuar 340 mijë eurot e kërkuara nga avokati.
Për zbardhjen e rrethanave të hetimit, Policia i ka marrë deklarim edhe Afërdita Ferracakut, e cila ka pohuar takimet që kushëriri i saj, Abedin Ferracaku, ka pasur në zyrën e saj me Milena Derajn.
Afërdita Ferracaku: “Kushëriri im, Abedin Ferracaka më ka thënë se do të vinte ta takonte Milenën dhe para rreth 8-9 muajsh ka ardhur tek puna ime dhe unë kam njoftuar Milenën. Ajo ka ardhur vetëm me taksi. Pasi i kam prezantuar, i kam lënë të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe jam larguar nga ambienti ku po qëndronin”.
Kjo dëshmi konfirmon lëvizjet e personit të kërkuar. Megjithatë askush nga autoritetet nuk ka pasur dijeni për lëvizjet e tij. I vetmi veprim që është bërë nga Policia është shpallja në kërkim e të kërkuarit Abedin Ferracaku.
Suel Çela: I kërkuar nga SPAK me dyshimet se ka porositur vrasje
Suel Çela, 35 vjeç, banues në Elbasan, është person në kërkim nga SPAK për veprën penale, vrasje e mbetur në tentative.
Më 28 shkurt, Suel Çela, i njohur edhe me emrin Marjus Lulaj, ndonëse prej një viti është në arrati duke iu shmangur drejtësisë, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një shkresë, përmes të cilës kërkonte t’i ndryshohej masa e sigurisë nga “arrest në burg”, në një masë më të lehtë.
Pak kohë më parë, konkretisht më 23 maj, Suel Çela reagon sërish. Ai i bën rekurs dosjes së tij në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme la në fuqi për të masën e sigurisë “arrest me burg” të marrë nga Shkalla e Parë. Çela ka kërkuar masë më të lehtë sigurie, megjithëse ai nuk ndodhet në burg, por në arrati.
Suel Çela, i cili është një nga personat më të kërkuar nga Policia, akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Në këtë datë kur u plagos, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën. Porosinë për vrasjen e Kilës ai ka pohuar se e kishte marrë nga Suel Çela. Në dosje jepen detaje të plota mbi këtë ngjarje.
Ka qenë dëshmitari tjetër i drejtësisë, Henrik Hoxha, që e ka rrëfyer të plotë këtë ngjarje për prokurorët e SPAK. Ai ka thënë se Nuredin Dumani ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka shkuar disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini. Ai i kishte premtuar se do të paguhej 70 mijë euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta realizonin bashkë.
Por teksa janë nisur me makina të ndryshme, Henrik Hoxha tregon se në një moment ka marrë një mesazh nga Dumani që i ka thënë se e kanë plagosur. Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar në Fier dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë Elton Kilën. Sueli i çonte foton e Kilës në telefon.
Por kjo nuk ishte porosia e vetme që Dumani pretendon se kishte marrë nga Suel Çela. Një tjetër krim me kërkesë tij tij, Nuredin Dumani thotë se ka qenë edhe tentativa për të vrarë administratorin e shkollës private, Lulzim Masha. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Çelën dhe i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës.
Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka ofruar shumën 150 mijë euro për vrasjen.
Nuredin Dumani: “I thashë Rikut që do t’i jepja 100 mijë euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin Matrix. Ai pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Riku ka ardhur në Kosovë me një makinë Volksvagen Passat dhe në bisedë me të i thashë për objektin që duhej të vriste si dhe i dhashë një armë ‘skorpions’ që e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen, Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku”.
Suel Çela, që konsiderohet si “i paprekshmi” i Elbasanit, u vu në qendër të vëmendjes në një ngjarje të vitit 2017, për sulmin ndaj policisë tek tregu agro-ushqimor i Elbasanit. Në fillim të muajit shtator 2017, drejtori i Policisë së Elbasanit miratoi një plan masash për goditjen e grupeve kriminale, personave në kërkim dhe mjeteve të blinduara. Qëllimi i këtij plani ishte mbajtja nën kontroll i anëtarëve të grupeve kriminale të evidentuara në Elbasan, me tendencë kryerjen e krimeve kundër personit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor.
Për bashkëpunim kërkohej rivlerësim i situatës dhe marrja e masave të menjëhershme me shërbime të hapura dhe të fshehta të strukturave të Policisë në vend, duke kryer disa detyra. Konkretisht, pika e parë e këtij plani masash, shpjegonte arsyen kryesore të përplasjeve të vazhdueshme që po ndodhnin në atë kohë në Elbasan. Në bazë të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016-2017 në qytetin e Elbasanit, në lidhje me personat me precedentë kriminal e penal të fiseve Çapja, Çela, etj, kërkohej që të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të mbajnë nën kontroll anëtarët e këtyre fiseve, lëvizjet që ata bëjnë, mjetet me të cilat lëvizin, numrat e telefonave që ata përdorin, si dhe ambientet që frekuentonin.
Pas këtij plani masash ndodh incidenti në tregun Agro-Ushqimor, për të cilin u akuzua dhe u shpall në kërkim Suel Çela. Por në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm në lidhje me këtë ngjarje. Incidenti mori përmasa edhe më të rënda kur dolën pamjet e “Audi”-t të zi, të blinduar, që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.
Por kjo nuk ishte vetmja ngjarje, për të cilën ai mori pafajësi, pa kaluar asnjë ditë në qeli. Në kohën kur incidenti me Policinë vazhdonte të hetohej nga Prokuroria, një dosje e vjetër, për një ngjarje të vitit 2013 u rihap nga Policia dhe kësaj here Suel Çela akuzohet për pengmarrje. Bashkë me Endri Çopjan, ai akuzohej se më 19 prill 2013, kishin rrëmbyer e më pas plagosur shtetasin Bledar Karaj.
Në datën 2 maj të atij viti, i dëmtuari është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin nga drejtuesi i Prokurorisë Elbasan. Në këtë deklarim ai ndër të tjera është shprehur se personi, i cili e ka qëlluar me armë është shtetasi Suel Çela. Bledari në këtë deklarim është shprehur se me shtetasin Suel Çela e ka mbyllur konfliktin pasi babai i tij është takuar me xhaxhain dhe ka kërkuar falje në lidhje me veprimet e kryera nga Sueli. Po në datën 02 maj nga ana e drejtuesit të Prokurorisë është nxjerrë urdhër ndalimi ndaj Suel Çela. Pas kërkesave të bëra nga i dëmtuari Bledar Karaj, më datë 20 nëntor 2013 ai është pyetur nga policia gjyqësore dhe në deklarimin e kësaj date ai ka mohuar deklarimin e dhënë në maj, duke pretenduar se në atë deklarim ka dhënë të dhëna të rreme përpara prokurorit dhe se nuk i njeh autorët e kësaj ngjarje. Në këto rrethana, edhe për këtë ngjarje Suel Çela doli i pafajshëm.
Fakti që deri tani Suel Çela vijon të lëvizë lirshëm, tregon se ndalimi i tij nuk është marrë me seriozitet. Edhe atëherë kur duket se nisen grupe operacionale nga Tirana drejt Elbasanit, kthimi duarbosh komentohet si kontroll rutinë dhe jo si dështim për kapjen e tij.
Erjon Llapushi: Një ndër personat më të kërkuar, i dyshuar për vrasje
Erjon Llapushi, 32 vjeç, banues në Pogradec, është person në kërkim nga Policia e Elbasanit për vrasje me dashje.
Ai renditet në listën e 5 personave që Policia e Shtetit i konsideron si të kërkuarit më të rrezikshëm. Tetorin e vitit 2021, ai u shpall në kërkim pasi u akuzua se dhunoi për vdekje një kamarier në Elbasan.
Erjon Llapushi, u dyshua se vrau duke dhunuar me grushte e sende të forta 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, pasi i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë më 7 tetor të vitit 2021, në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u transferuar natën e ngjarjes.
Erjon Llapushi është emër i njohur në radhët e Policisë. Më 5 maj të vitit 2020, Operacioni Forca Operacioni në aksionin e shpërndarjes së formularit të pasurisë në Pogradec kërkonte deklarim edhe nga Llapushi. Në atë periudhë ai ndodhej në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që përmes shantazhit dhe dhunës, detyronin biznesmenët e Pogradecit të dhuronin aksionet e tyre.
Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penalë.
Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohej hetuesve brutaliteti me të cilin vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.
Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga Policia, çka çoi më pas edhe në arrestimin e Llapushit dy muaj më vonë. Ndërkohë, më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionit “Perimetri” pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit.
Nuk u mësua asnjëherë se si Erjon Llapushi rifitoi lirinë brenda pak muajsh nga arrestimi. Në njoftimin e Policisë për atë rast thuhej se Llapushi ishte dënuar edhe për plagosje në vitin 2008, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pogradec.
Policisë i janë përcjellë vazhdimisht informacione për vendndodhjen e tij në Tiranë dhe Pogradec, por në asnjë rast nuk është arritur lokalizimi i tij.
Talo Çela: I kërkuar për grabitjen e Rinasit, gjykohet në mungesë
Talo Çela, 51 vjeç, banues në Elbasan, është në kërkim për grabitje dhe dyshime për vrasje.
Ai vijon ta kryesojë listën e më të kërkuarve të Policisë. Një personazh i dyshuar për disa krime, por që aktualisht është në gjykim vetëm për grabitjen e Rinasit.
Pas arrestimit në vitin 2021, Nuredin Dumani dëshmoi se bashkë me Talo Çelën kishin marrë pjesë në shumë krime. Por në fund Dumani pretendon se i kishin prishur marrëdhëniet me njeri-tjetrin duke u kthyer në armiq të betuar.
Të dy ata ishin betuar se do ta vrisnin njeri-tjetrin, ndërsa Nuredin Dumani kishte shënjestruar Çelën menjëherë pas vrasjes së shokut të tij Klevis Kapllani në shtator 2020 në Rrogozhinë. Pas kësaj ngjarje, Dumani vrau vëllain e Talo Çelës në Elbasan, ndërsa filloi edhe të kërkojë se ku mund të fshihej ai në rrethinat e këtij qyteti.
Ndonëse Policia nuk e gjente dot, Nuredin Dumani kishte rënë në gjurmët e Talo Çelës, duke mësuar deri diku bazën e tij. Në fakt Dumani pretendonte se këto informacione i kishte siguruar nga brenda radhëve të Policisë. Megjithatë Policia sërish bënte të paditurën për vendndodhjen e Çelës.
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, ai kishte shkuar pranë kësaj baze më herët, por ishte ndjerë i kërcënuar nga persona që gjendeshin aty pranë pasi ata kishin mbushur automatikun. Zona ku Nuredin Dumani e kishte pikasur Talo Çelën është ajo mes Cërrikut dhe Elbasanit dhe pikërisht aty iu bë edhe atentat nga persona të lidhur me atë.
Nuredin Dumani: “Teksa qëndroja në rrugën kur ikën në Cërrik, më janë afruar tri makina të tipit Audi, Benz CLS dhe një BMW. Nga makina BMW, ka zbritur një person dhe më është afruar drejt vendit, ku unë po qëndroja i parkuar.
Të tri makinat më shikonin mua dhe aty pata një parandjenjë të keqe. Unë fillova të lëviz me mjet, duke hyrë tek kryqëzimi i Papërit, në rrugën e që të çon në Cërrik. Pasi pashë që të tri makinat ikën në drejtim të Cërrikut, lëviza direkt dhe unë. …
Unë po shikoja gjithmonë djathtas, pasi doja të shikoja nëse kishte makina të tjera aty në parkim si dhe nëse ishin makinat e tjera që po më vëzhgonin. Por e humba vëmendjen nga krahu i majtë. Në sekondë dëgjova xhamat dhe breshëri automatiku. Kam kthyer kokën instinktivisht.
Pashë që ndaluan krismat. Kur ktheva kokën, pashë një makinë ngjyrë vishnjë dhe pas shoferit ishin 2 gjuajtës që kishin kallashnikov në dorë, të cilët nuk kishin zbritur por kishin dritare të hapur.
Nuk i identifikova dot ata që kishin kallashnikovin, se kishin maskë. Por identifikova shumë mirë shoferin, ishte fiks ai që po kërkoja unë, Talo Çela. Duke e njohur strukturën e tij dhe mënyrën se si rrinte, jam i bindur që ishte ai.
Pastaj filluan breshëri, jam shtyrë nga krahu i djathtë dhe barkas kam prerë timonin për Peqin”.
Në këtë ngjarje Nuredin Dumani ka marrë një plumb në shpinë dhe pastaj është nisur në shpejtësi në drejtim të Fierit, ku edhe u arrestua nga policia.
Ibrahim Lici: I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje
Ibrahim Lici, 30 vjeç, banues në Shkodër, është person në kërkim për vrasje me dashje.
I quajtur “fantazma”, për shkak se askush nuk binte në gjurmët e tij, 30-vjeçari Lici, prej kohësh vijon të jetë në arrati dhe duke iu shmangur drejtësisë që e akuzon për vrasje. Vitin e kaluar pati të dhëna për arrestimin e tij në Turqi, informacion që nuk u konfirmua asnjëherë.
Megjithatë duket se pati një lloj të vërtete në këtë histori. Dy agjentë të FAST, udhëtuan nga Shqipëria drejt Turqisë, duke gjurmuar të dashurën e tij. Më 19 tetor 2022, bashkë me policinë turke, ata bënë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte, duke menduar se aty ndodhej edhe Lici. Masa “arrest me burg” e dhënë në mungesë ndaj tij, vijon të jetë e pa ekzekutuar, ndonëse Ibrahim Lici kishte lënë gjurmë që mund të ishin ndjekur nga policia.
Lici kishte udhëtuar drejt Turqisë përmes një linje ajrore nga Kosova, duke përdorur pasaportën e tij shqiptare.
Udhëtimi i tij është realizuar në 24 korrik 2021, duke përdorur pasaportën e nxjerrë më 12 maj 2021 në Shkodër, kohë kur ai ishte person në kërkim. Agjentët e FAST në Policinë e Shtetit, janë vënë në dijeni të këtij informacioni dhe janë vënë nga pas gjurmëve të Licit. Gjurmë që i kanë humbur në Stamboll.
Ibrahim Lici, vijon të qëndrojë i lirë në territorin e shtetit turk, ndërkohë që drejtësia e këtij shteti, kërkoi ndihmë juridike nga pala shqiptare për t’i vënë në dispozicion aktet hetimore të dosjes penale që flet për vrasjen e Endri Mustafës, për të cilën Lici është i akuzuar.
Ndaj tij është vendosur masa “arrest me burg” në mungesë për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, konkretisht për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur më 15 maj 2021 në zonën e “Livadhes” në Shkodër. Për këtë ngjarje është dënuar me 12 vite burgim një 15-vjeçar, që e nxori në pritë viktimën natën e krimin.
Ervis Martinaj: Rezulton i zhdukur, në kërkim nga SPAK për porositje të një vrasjeje
Ervis Martinaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, është në kërkim nga SPAK për sigurim të kushteve për vrasje.
Nga ana tjetër, që prej 9 gushtit të vitit të kaluar, ai është denoncuar i humbur nga familjarët e tij. Ervis Martinaj, i cili prej vitesh njihej si mbreti i lojërave të fatit, herë pas here është akuzuar e dyshuar për krime të rënda. Është hetuar, madje edhe arrestuar, por gjithmonë ka arritur të marrë pafajësinë. Nëntorin e vitit 2015 ai ishte në krye të listës prej 5 personash, që Policia e Tiranës shpalli në kërkim, për vrasjen e Enton Nikajt.
Në atë kohë Policia e konsideronte Martinajn si të dyshuarin kryesor për ngjarjen, por e kishte personazh të njohur edhe për krime të tjera të ndodhura gjatë viteve 2013-2015, për të cilat ai kishte qenë i skeduar. Martinaj njihej në Tiranë, Vorë dhe Laç, si pronar i disa bizneseve të lojërave të fatit, kazino e pika bastesh. Madje për këtë lloj aktiviteti ai rezulton i dënuar dy herë, me akuzën e organizimit të lotarive të paligjshme, për të cilat Gjykata e Tiranës e ka dënuar me gjobë. Madje edhe në atë kohë kur po dyshohej për vrasje ishte në një proces gjyqësor për të njëjtën akuzë.
Në sistemet e brendshme të Policisë së Shtetit, emri i Ervis Martinajt rezulton i skeduar në ngjarje të ndryshme, që nga vrasja e deri te kanosja e drejtuesve të lartë të Policisë. Ai ishte lakuar në disa vrasje që edhe sot janë ende të pazbardhura dhe pa asnjë autor të arrestuar.
Fillimisht emri i Ervis Martinajt u përmend nga grupi hetimor në tetor të vitit 2013, kur u ekzekutua Elvis Doçi në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Në atë kohë sapo kishte nisur operacioni “Fund Marrëzisë” dhe Policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.
Viktima, Elvis Doçi, që i kishte shitur Martinajt disa makineta lojërash fati, dyshohej se mund të kishte dijeni për operacionin që do të ndërmerrte Policia në luftën kundër paligjshmërisë. Grupi hetimor, bazuar në këto informacione hetoi për disa muaj Ervis Martinajn, por duke mos arritur të gjejë asnjë provë që ta implikonte në vrasjen e Doçit.
Po kjo nuk ishte vrasja e vetme, për të cilën ai ishte mbajtur nën monitorim, pasi edhe në atentatin ku mbeti i vrarë bankieri Artan Santo, doli në skenë emri i Martinajt. Pas informacioneve operative, Policia tha se motori që ishte përdor nga vrasësit e Santos mund të ishte fshehur në magazinat e Ervis Martinajt në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit. Efektivët e Policisë kanë ushtruar kontroll në magazinat e tij, më 27 qershor 2014, ku u gjetën dy skafandra që më pas rezultuan se nuk ishin të njëjta me ato të autorëve të vrasjes. Megjithatë aty u gjetën dhe sekuestruan automate lojërash fati.
Pas arrestimit për vrasjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut, më 4 tetor të vitit 2018, ku mbeti edhe vetë i plagosur, Ervis Martinaj u hetua edhe për pastrim parash. Prokuroria argumentonte në atë kohë se, Martinaj prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri në vlera të konsiderueshme. Mënyra e shlyerjes ka qenë CASH, burimi i të ardhurave i papërcaktuar dhe nuk mund të justifikohej me burimet e ligjshme që ai kishte.
Megjithatë edhe për vrasjen në vitin 2018, ashtu sikurse atë të vitit 2015, Martinaj mori pafajësi. Ai deri diku u duk se mbylli problemet me drejtësinë në atë kohë, por kishte hesape të pambyllura me grupe të ndryshme kriminale.
Njerëz të afërt të tij u ekzekutuan njëri pas tjetrit, derisa më 17 korrik të vitit 2022 u eliminua edhe njeri i tij më i afërt, kushëriri Brilant Martinaj, që në fakt të gjithë e njihnin si nipi i Ervis Martinajt.
E në fund, u hap një tjetër dosje për të. Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022, caktoi ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal.
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, e përmendi edhe atë si person që kishte porositur vrasje. Dumani dëshmoi se Ervis Martinaj kishte ofruar deri në 500 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles.
E megjithëse u shpall në kërkim nga SPAK, Martinaj nuk u arrit të gjendej asnjëherë. Në vend të tij u arrestua efektivi i Policisë Jeton Lami, i cili u dyshua se e kishte të ndihmuar për t’u arratisur. Por në kohën që Policia e kërkonte për ta arrestuar, më datë 10 gusht 2022, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ai tha se kishin humbur kontaktet me nipin e tij.
Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.
I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.
Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt. Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.
Për Policinë e Shtetit, fakti që prej zhdukjes së tij, nuk kishte pasur ngjarje kriminale, të paktën përplasje me armë mes grupeve siç kishin ndodhur më parë, shpjegonte dobësimin e grupit të tij. Kjo e dhënë ishte edhe një lloj indikacioni që e shtynte Policinë të mendonte se Ervis Martinaj edhe mund të ishte vrarë.
Por ngjarja e 12 marsit në “Don Bosko”, duket se e ringjalli duke kthyer fantazmën e tij. Nga të shtënat për të eliminuar Fatjon Muratin, njeriun e afërt të Endrit Dokles, mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja. Ndërsa të afërmit e Muratit u plagosën.
Atentati që kishte në shënjestër Fatjon Muratin dhe njerëzit e tij, ktheu vëmendjen e Policisë tek vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës. Aty ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. E me gjithë këto sinjale, sërish historia e “zhdukjes” së Ervis Martinajt vijon të jetë e mbuluar me mister.
Personazhe si Ervis Martinaj, por edhe Suel Çela, Ibrahim Lici, apo edhe Talo Çela, për muaj me radhë kanë qenë në qendër të diskutimeve, madje edhe deri në Parlament. Për ta flitet në një mënyrë që shkon gati në mitizim. I konsiderojnë të paprekshëm, e madje të pavdekshëm.
Por për aq kohë sa pavdekshmëria është e pamundur, edhe paprekshmëria duhet të jetë po aq e pamundur. Fakti që shumë personazhe të tillë vijojnë të jetojnë e të lëvizin lirshëm në arrati, krijon situata të tilla.
Nëse do ketë pak më shumë seriozitet e vendosmëri për t’i çuar në burg këta persona, arratisë së tyre patjetër që do u vijë fundi. Jo vetëm për të vuajtur dënimin për krimet që kanë kryer, por së paku për të mos vijuar të kryejnë krime të tjera.
Çdo kriminel kërkon me çdo kusht lirinë. Ndërsa autoritetet, duhet me çdo kusht, të bëjnë gjithçka për t’i çuar në burg.