Nga Mero Baze/
I pari që ka arritur të bashkojë Perëndimin kundër një vendi të vetëm në Ballkan, ka qenë Slobodan Milosheviqi. Përpjekjet e tij të pafundme për të përçarë Perëndimin rreth Kosovës dhe sidomos bindja e tij se duke sunduar një popull të indoktrinuar kundër Perëndimit, do t’ia dilte, përfundoi me humbjen e Kosovës në qershor 1999, pasi 76 ditësh bombardimesh.
Kosova u bë e lirë dhe e pavarur falë edhe marrëzisë së tij.
I dyti pas Milosheviqit që ka bashkuar Perëndimin kundër tij është Vladimir Putini. Autokrati i Kremlinit me gjakftohtësinë e një pushtuesi ka sulmuar Ukrahinën, ka aneksuar një pjesë të territorit të saj dhe po vazhdon të rezistojë kundër Perëndimit, me shpresë se do ta lodhë, do ta përçajë, dhe në fund do të triumfojë.
Ajo që po ndodh në Ukrainë, jo vetëm si aggression, por dhe si precedent i sulmit ndaj një vendi sovran, rrezikon të shembë rendin e ri botëror, nëse pranohet dhe nuk luftohet deri në fund. NATO, Bashkimi Evropian, SHBA dhe gjithë institucionet perëndimore, përfshi dhe vendet që aspirojnë Bashkimin Evropian, janë në një koalicion të madh ndërkombëtar në ndihmë të Ukrainës, të vendosur të qëndrojnë deri në fund.
I treti, që në mënyrë të pabesueshme ka bërë kundër 27 vende të Bashkimit Evropian, SHBA, NATO dhe OKB, është Albin Kurti. Ai e ka vendosur Kosovën në një pozitë ndërkombëtare poshtëruese, ndaj së cilës ditën e premte fillojnë sanksionet ndërkombëtare, njësoj si dikur ndaj Milosheviqit, dhe sot ndaj Putinit.
Por ndërsa për të parin u deshën 76 ditë bombardime, për të dytin do të duhen miliarda euro dhe qindra mijëra të vrarë për ta mposhtur, për Albin Kurtin, duhet vetëm një vendim i Perëndimit për ta fshirë nga faqja e historisë, duke vënë pikëpyetje të mëdha për fatin e Kosovës.
Kosova është një shtet që ka fituar pavarësinë falë këtyre 27 shteteve të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ajo ende nuk është e pranuar në OKB dhe arsyetimi mbi të cilin është njohur pavarësia e Kosovës, është se do të jetë një republikë e qytetarëve dhe do të ndihmojë në stabilitetin e rajonit.
Në momentin që Albin Kurti e ka bërë Kosovën vatër trazirash etnike, duke vepruar në mënyrë të njëanshme pa u koordinuar me SHBA dhe Bashkimin Evropian , ai ka rikthyer në Kosovë mekanizmat e sigurisë së rezolutës së OKB 1244 e 10 qershorit 1999, duke nxjerrë në plan të parë ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, nga forcat ndërkombëtare.
Pas të premtes, Kosova nuk është më në duar të Albin Kurtit, por në duart e atyre që e çliruan Kosovën dhe arsyeve për të cilat e çliruan.
Ai ka dy ditë kohë të shpëtojë veten, jo Kosovën. Kosovën e ka dëmtuar maksimalisht aq sa nuk ka mundur ta dëmtojë as Milosheviqi dhe asnjë armik tjetër i saj. Nëse shqiptarët me humor shpesh herë thonë se Milosheviqit i duhet bërë një bust në Kosovë për “meritat” që ka për lirinë e Kosovës, serbët po ashtu duhet t’i ngrejnë Albin Kurtit një bust në Beograd për meritat që ka në luftën e tyre kundër Kosovës.
Tani për fat e ardhmja e Kosovës është në duart e çlirimtarëve të saj. Shqiptarët e Kosovës duhet të zgjedhin mes këtyre çlirimtarëve që zbuan Milosheviqin, dhe Albin Kurtit, që po rikthen ëndrrën e Milosheviqit në rajon.