Nis projekti më i madh të Azisë për përthithjen e karbonit në sektorin e energjisë me qymyr.
“China Energy” njoftoi se ka vënë në punë objektin më të madh të përthithjes, përdorimit dhe ruajtjes së karbonit në Azi (CCUS), për sektorin e prodhimit të energjisë me qymyr, në provincën Jiangsu të Kinës lindore. Sipas kompanisë, objekti synon të përthithë çdo vit rreth 500.000 tonë dyoksid karboni (CO2), citon “Xinhua”.
“Gjatë testimit të projektit, sistemi CCUS demonstroi performancë të besueshme dhe standarde të larta sigurie. Treguesit e efikasitetit të energjisë dhe cilësia e produktit janë në ose mbi nivelet e tyre të projektuara”,- tha Ji Mingbin, president i degës së “China Energy” në Jiangsu. “China Energy”, një gjigant i prodhimit të energjisë me qymyr, është një nga kompanitë kryesore që ndërton projekte pilot të përthithjes dhe ruajtjes së karbonit në Kinë.
Këto projekte janë ndër përpjekjet e vendit për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060.