Nga Altin Ketro
Ishte viti 2011 kur një punonjëse e bashkisë Kamëz, denoncoi në media kryetari e saj të bashkisë sepse e përndiqte seksualisht që nga viti 2010 për ta mbajtur në punë. Zonja në fjalë, kishte si provë edhe SMS që kryetari i bashkisë i dërgonte në celular duke e quajtur me nofkën “Shamikuqja”.
Meqë ajo nuk pranoi t’i jepej kryetarit, u hoq prej tij nga puna, u rrah nga punonjësit e policisë së bashkisë e u kërcënua në vijimësi. Ajo zonjë, ndonëse e vetme në këtë betejë me pushtetin vendor e atë qendror, e çoi çështjen e saj edhe tek Komisioneri Shtetëror për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili e arkivoi çështjen e saj në vitin 2012. Ajo i shkroi edhe ish-kryetares së Kuvendit, ashtu dhe ish-sekretarit organizativ të PD-së, Noka, por nuk gjeti përkrahje prej tyre.
Kryetarit të bashkisë Kamëz nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë. Jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, jo vetëm që nuk u shkarkua nga kryeministri Sali Berisha, por ishe pikërisht Berisha që e rikandidoi në zgjedhjet vendore të majit 2011 si dhe në ato pasuese të vitit 2015 ku ai fitoi dhe sot e kemi edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë.Gjatë qeverisjes socialiste ka pasur 2 raste ku kryebashkiakët socialistë janë kapur me afera seksuale. Në të dyja rastet kryeministri Rama ka vepruar me shpejtësi dhe pa asnjë ekuivok i ka shkarkuar ata nga detyra.
I solla në vëmendje këto 2 raste ballafaquese, për të kuptuar standardin midis dy qeverisjeve, ku njërës palë nuk i bën përshtypje përndjekja seksuale që bën përfaqësuesi i PD-së ndaj një punonjëse bashkie, kurse palës tjetër, edhe kur femrat nuk janë punonjëse bashkie, merren masa ekstreme ndaj kryebashkiakut që ka shpërdoruar besimin e dhënë.
Kështu që këtyre përfaqësuesve të Rithemelimit me Berishën në krye, kur bëjnë moral dhe akuzojnë kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste, bëjnë mirë të shohin fillimisht veten në pasqyrë për të parë nëse janë aq të ndershëm me vepra sa janë me fjalë.
Dhe, kur ju të Rithemelimit kërkoni zgjedhje sa më të shpejta në Kukës, dua t’ju bëj një pyetje: Pse nuk e vendoset ju të parët standardin me zgjedhje të menjëhershme në Kamëz?!