Nga Mero Baze/
Partia Demokratike, duket se po vuan krizën e thellë të identitetit të saj politik, që është mungesa e betejës e lidershipit të saj. Një pjesë e grupit parlamentar është mbledhur sot dhe kanë rënë dakord që zgjedhjet për kryetar të partisë të shtyhen dhe partia ekzistuese të drejtohet nga dyshja Tabaku- Bardhi. Nesër do të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike, e cila me ligj përcakton dhe procedurat e zgjedhjeve në parti dhe natyrisht mund të marrë vendim të kundërt me këta që janë deputetë. Ka dhe një palë të tretë brenda atyre që e shikojnë me bezdi gjithë këtë gjoja betejë procedurale.
Alibia e gjithë “marifeteve” brenda PD është nevoja për bashkim, e cila në fakt nuk ka asnjë kuptim, pasi PD ekziston se ka një proces ndarje me Berishën. Po të mos ekzistonte nevoja për t’u ndarë nga Berisha, nuk do ekzistonte as ky problem. Nevoja për bashkim, do të lindë atëherë kur Berisha të largohet dhe demokratët të bashkohen. Në këto kushte PD ka nevojë të forcojë identitetin e saj në raport me Berishën.
Kjo krizë nuk nisi tani, pas zgjedhjeve. Nisi para zgjedhjeve dhe u shfaq në mënyrë të shëmtuar në mes të fushatës zgjedhore, sidomos në Tiranë. Gjithë lidershipi i Partisë Demokratike zyrtare u angazhua për të mos bërë fushatë elektorale, dhe gati e braktisën kandidatin e Tiranës, Roland Bejko dhe kryetarin në detyrë Enkelejd Alibeaj, të cilët kishin një qëndrim të qartë kundër Berishës. Deri në fund burokratët e partisë bllokuan financimin e fushatës dhe nxirrnin pengesa për çdo veprimtari elektorale të tyre.
Ideja idiote që PD nuk duhet të kandidojë, se pastaj Berisha do t’i akuzojë se humbën prej saj, ishte dhe ideja më vrastare. Falë kësaj idiotësie Partia Demokratike u fut në det dhe nuk u lejua të notonte, se mos lagte Sali Berishën, i cili përsëri nuk doli dot pa lagur. Doli i mbytur.
Tani kur zgjedhjet mbaruan, mbartësit e kësaj ideje, që kryesisht identifikohen me dyshen Bardhi- Tabaku, mendohej se do t’i kërkonin llogari Sali Berishës, meqë ai përsëri humbi thellë, edhe pse ata nuk bënë fushatë. Ky ishte argumenti që jepnin nën zë ndërsa pengonin fushatën e Roland Bejkos.
Tani këta në vend t’i kërkojnë llogari Berishës që çoi dëm votat e demokratëve dhe prodhoi përçarje, vazhdojnë të konsiderojnë problem ata që janë kundër Berishës në PD, dhe nxisin retorikën e bashkimit me Berishën. Thelbi i kësaj krize është se PD ka rënë në duar burokratësh, që nuk bëjnë dot beteja, që kur vijnë zgjedhjet ikin dhe rrinë në shtëpi dhe pas zgjedhjeve kërkojnë të nisin beteja pa kundërshtarë. Kjo është krizë e një lidershipi që u ikën betejave dhe rrojnë me kulisa. Nuk kam gjë kundër tyre, pasi ashtu e kanë ndërtuar jetën, por nuk bëjnë dot as politikë dhe mbi të gjitha, nuk krijojnë dot besim tek askush.
I vetmi identitet politik i PD është grupi i njerëzve që kandiduan, dhe ata që i mbështetën ata. I vetmi motiv pse mund të qëndrojë ende PD si formacion politik është të mbajë të bashkuar frymën kundër Berishës, derisa Berisha të largohet nga politika. I vetmi mekanizëm presioni që mund të ushtrohet mbi Sali Berishën është anti-berishizmi i dëshmuar në opozitë me rreth 100 mijë vota në kuti votimi dhe 250 mijë të tjerë që e refuzuan ta votojnë. Nëse bie ky mekanizëm presioni mbi Berishën, atëherë Berisha nuk ikën kurrë, humbja nuk ikën kurrë dhe bashkimi me Berishën është vetëm bashkim me humbjen.
PD nuk është më parti fituese. PD zyrtare ka vetëm një mision të përkohshëm në procesin afatgjatë të ristrukturimit të opozitës, të qëndrojë si mekanizëm procesioni kundër Berishës, që çdo demokrati t’i mbushet mendja se pa larguar Berishën nuk ka fillim të ri. Nëse nuk e kryen këtë funksion, nuk vlen për asgjë. Është mirë të ikin në shtëpi. Berisha nuk ka nevojë për ta, se për të humbur ka edhe me ata. Nuk ua di as për nder që bëjnë sikur duan të bashkohen. Ai ua ka marrë me luftë shumicën, madje me hu në dorë, dhe nuk mallëngjehet nga përulja e tyre. Atë që nuk e bëjnë dot ata e bën vetë shoqëria. E çon Berishën në shtëpi sa herë të ketë zgjedhje. Këta le të presin të bëjnë analiza pas zgjedhjeve.