Pas 28 orësh notim në det të hapur në kanalin e Otrantos, avokatja australiane me origjinë shqiptare, ndërpreu sfidën e saj për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore dhe situatës jo të mirë në det.
Në një intervistë për Top Channel ajo sqaron edhe teknikisht se pse nuk ishte kjo dita e saj.
“Uhh sa e vështirë…sigurisht unë e prisja që të ishte e vështirë. Në sfida noti të tilla pret që disa gjëra të mos shkojnë mirë, por në këtë notim asgjë nuk ishte në favorin tim. Unë mësova disa gjëra pasi e provova, kështu në ditën e parë mu deshën 9 orë për të përshkuar 14 km, përgjithësisht në ditë normale mua më duhen 4 orë për atë distancë. Sigurisht rrymat detare bëjmë të tyren , ndonjëherë i ke kundra ndonjëherë në favor dhe e kishim parashikuar notimin që mund të shkonte rreth 30 orë, sepse sipas ritmit tim, notoj gjysmë kilometri për një orë dhe kur fillon mendon këto vështirësi dhe kupton që të është dashur dyfishi i kohës për të bërë të njëjtën distancë që bën normalisht, fillon edhe nga ana psikologjike të rëndohesh dhe nëse gjithmonë mendon se mund t’ja dal, erdhi një pikë që thash, nuk është kjo dita.”- tha Eva Buzo, avokate.
Në përfundim të garës Eva shfaqi disa foto ku dukeshin shenjat e lëndimeve të saj gjatë notit.
“Me të përfunduar gara shkova në spital, por isha mirë, më ndihmuan dhe bën të gjitha kontrollet e nevojshme, por në fakt në fotografi dukej situate më e rëndë seç ishte. Thjesht isha hsumë e lodhur, notova për 28 orë, thuajse më zuri gjumi.”– tha Eva Buzo, avokate.
Avokatja australiane me origjinë shqiptare tregon se në përsëritjen e sfidës do të ketë edhe disa shqiptarë në stafin e saj që njohin detin.
“Tani që jam ende këtu kam takuar disa njerëz që e njohin shumë mirë detin në Vlorë dhe kam marrë këshillat e tyre, do të doja shumë që vitin tjetër që do ta përsëris, të kem disa prej tyre në stafin tim dhe ndoshta do t’ja dalim këtë herë.”- tha Eva Buzo, avokate.
Mes shumë gjëra që e habitën Evën në këtë sfidë të parën të saj shqiptare ishte edhe instagrami.
“Kur u futa në ujë isha vetëm 300 ndjekës në Instagram dhe kur e përfundova vura re që Instagrami im kishte shpërthyer ishte diçka shumë e bukur, as e kisha imagjinuar ndonjëherë që njerëzit do të ishin të interesuar për notin tim. Mendoja që kur do të mbaroja garën do të gjeja vetëm kushërinjt e mi që më prisnin në plazh U preka shumë pas gjithë atij suporti dhe jam shumë e kënaqur.”- tha Eva Buzo, avokate.