Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Vuçiç saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardhshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.
Vuçiç tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.