Ish-presidenti Bamir Topi ka deklaruar se opozita aktuale është inezistente. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes me Bashkim Hoxhën” në ABC News, ai u shpreh se qytetarët nuk ka kush i përfaqëson dhe ky është një problem i madh.
Sipas Topit, opozitë nuk ka, por vetëm grumbullime njerëzisht të interesave shumë egoiste, pasi i kanë kryer hallet e tyre.
“Në rast se politika vuan nga mënyra se si listohen për deputetë, opozita është në një situatë më dramatike. Në opozitë vendosen njerëz që përkufizohen si besnikë të ekstremit të kryetarit. Përfshirë, ato probleme madhore që ka opozita. Pra, opozita për të qenë i drejtëpërdrejtë, nuk ekziston dhe më mirë të mos ekzistojë në këtë mënyrë. Më mirë, e them në thonjëza se është shumë e rëndë që ta them, mbas 32 vitesh, por diçka duhet të shkojë në ekstrem në kuptimin politikë, që gjërat të kthjellohen, sepse duke menduar që ka opozitë, atëherë kujtohet një njëri të thotë që ne paskemi një sistem që ka dhe mazhorancë dhe opozitë, por në fakt opozitë nuk ka, ka vetëm grumbullime njerëzisht të interesave shumë egoiste, mbase i kanë kryer hallet e tyre. Ju e dini, të gjithë e dinë, problemi është që pengesa e madhe për të krijuar opozitën pas 32 vitesh, është drama më e madhe që ka të bëjë jo me ata, por ata nuk e kuptojnë që drama është e qytetarëve. Qytetarët nuk ka kush i përfaqëson në këtë rast, vetëm zoti mund të na përfaqësoj”, tha ai.