Modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj ishte sot e ftuar në podcastin e kryeministrit Edi Rama, ku foli për lidhjen e saj të veçantë me Tiranën dhe faktin se do ta zgjidhte atë si qytetin për të jetuar. Ajo theksoi transformimin e shpejtë që ka pësuar Tirana vitet e fundit, duke e cilësuar atë si një qytet kozmopolitan.
 
“Sot Shqipëria është një vend që pak janë qytetet si Tirana. Unë them zhvillimi Tiranës nga vjet, në sivjet është drastik. Fatkeqësisht, Mali i Zi, po të shkosh në Podgoricë, është shumë më mbrapa se Tirana. Dje kam pasur një bisedë të shkurtër me një shoqe që më pyeti a e sheh ti veten të ktheheshe në Ballkan? 100%. Por fëmijën ta sjell në shkollë në Mal të Zi nuk e di ende a jam tamam e qetë. Por sikur të më thoshte burri nesër, do kalojmë në Ballkan. Do i thoja ok në Tiranë. It’s a cosmopolitan city. Kështu që, sot ka ardhur koha me artistët shqiptarë, me njerëzit që kanë një shtytje shumë të madhe të marketingut, se ti e sheh në rrjetet sociale artistë janë ata që duan t’i marrin gjithë të rinjtë mbrapa. E kanë parë shqiptarët, me Rita Orën, Dua Lipa, që shqiptarët nuk janë ajo që na kanë paragjykuar përpara. Në fakt, jemi njerëz që jemi me shkollë, me kapacitet punëtore, me artistë, me të gjitha. Kështu që, dalëngadalë po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye. Por është diçka që vetëm rinia do e vazhdojë dhe do e pastrojë dalëngadalë”, deklaroi modelja e njohur Emina Çunmulaj.
 
Kryeministri Rama tha se sot Tirana është e mbushur me turistë të huaj. “Shqipëria vetë, duke ndryshuar në mënyrë drastike, siç e the, po bëhet destinacion turistik i hatashëm dhe këtë vit, imagjino kur ne kemi filluar politikën me dashuri nga ana jonë, aeroporti i Rinasit kishte 300 mijë pasagjerë. Sivjet ne parashikojmë 6.5 milionë, ata të aeroportit thonë 7 milionë. Dhe praktikisht Tirana sot është e mbushur me turistë të huaj nga të gjitha anët, restorantet, kafet”, shtoi më tej kreu i qeverisë.