Dy vjet më parë, ku i thuhej Sali Berishës se e ashtuquajtura “Betejë e Francës”, kundër Antony Blinken është një tem bosh e mashtrim i vogël, mbështetësit e doktorit, e quanin “beteja për prova”. Madje kishte edhe “analistë” nga Parisi që sollën intefrvistë me avokatë, që nuk dihet kush i pajtoi, e si i paguan.
Prej majit të vitit 2021, jo vetëm që nuk është zhvilluar asnjë audiencë gjyqësore në Paris, por nuk ka nisur asnjë procedurë.E pas gjithë asaj zallamahie përbetimesh “për dinjitet” pa asnjë logjikë, sot Sali Berisha ka shpallur dorëzimin e betejës së Francës edhe zyrtarisht. Në konferencën për shtyp, ai tha se kjo ndodh për shkak të moskompetencës.
Z.Berisha, kur jemi tek gjykatat dhe tek rasti McGonigal, a jeni i gatshëm, ose a keni ndonjë informacion për të ndarë me publikun se çfarë është duke ndodhur me çështjen tuaj në Gjykatën Korrektuese të Parisit?
Berisha: Për Gjykatën e Parisit mund t’ju them se çështja është në kasacion, kasacioni niveli më i lartë i Francës. Por shanset, duke qenë se në të drejtën franceze nxirret si pretekst se unë nuk jam qytetar i një vendi anëtar të BE, dhe se Sekretari Blinken ka imunitet, dhe nuk është në juridiksionin e gjykatave franceze, shanset e mia për të parë një rezultat në favor, pra nuk është se nuk e hedhin poshtë shpifjen, por kanë problem me gjykimin, se shpifja nuk hidhet poshtë.
Në fakt e gjithë kjo dihej që në fillim, por Berisha ja hodhi si temë mbështetësve të tij, duke manipuluar opinionin e hedhur tym. Ku krahasonte veten me Andreas Papandreun dhe Kryeministrin Indian, kur nuk ka asnjë lidhje me rastet e tyre që janë thjeshtë shtyrje apo pezullime vizash.
Sali Berisha u shpall non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Edhe pse nuk jep emra, DASH thekson se ka nevojë për një hetim të plotë në Shqipëri. Po i njëjti vendim u ndoq gati një vit më pas nga ana e Britanisë së Madhe.
Një politikan shqiptar në Maqedoninë e Veriut që u shpall “Non Grata” së fundmi, Ramiz Merko, tha se do të vijonte një betejë ligjore në SHBA kundër vendimit të DASH. Veprim që Berisha s’e bëri kurrë…