“Pres dorëheqje masive nga Kadastra”, kështu tha kryeministri Rama në fjalën e tij, në prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Më në fund gjithçka do kalojë online dhe nënshkrimet do jenë me vulë elektornike.

Ai tha se Kadastra duhet patjetër të certifikohet si institucion i standardeve europiane dhe tashmë ky proces ka nisur.

“Kadastra duhet të certifikohet si institucion i standardeve europiane dhe do të marrë të gjitha isot e nevojshme. Sot kemi hyrë në këtë proces, por deri dje kadastra konsiderohej si makinë mishi që grinte prona dhe hante jetë njerëzish.

9 drejtorë kadastrash janë ndërruar në Vlorë, 9 deri në momentin kur unë i numërova; pastaj hoqa dorë nga numërimi, hoqa dorë edhe nga përpjekjet si deputet i Vlorës.

Lajmi im për të gjithë ata që i rrinë rrotull kadastrës së Vlorës si ujqërit një preje, është “ikni se nuk ka më vend për ju”. Nuk e di sa e ndieni ju atë që ndiej unë kur i them këto fjalë. Jemi të gjithë këtu përgjegjës për këtë situatë”,-tha Rama.