Pas takimit ‘kokë më kokë’ me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me kryeministrin e Kosovës, Kurti, sot dy të dërguarit të takojnë presidenten Osmani dhe opozitën.
Escobar dhe Lajçak pritet të kenë një dialog ‘kokë më kokë’ me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë, në bisedimet me Kurtin, Escobar dhe Lajçak propozuan tri kërkesa, zgjedhje, qetësim të situatës dhe rikthim te dialogu. Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, dy të dërguarit thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.
Menjëherë pas kësaj, Qeveria e Kosovës doli me një njoftim zyrtar.
Zyra e kryeministrit, Albin Kurti, ka dhënë detaje për takimin e këtij të fundit me përfaqësuesin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit të BE-së për dialogu Kosovë – Serbi, Mirolav Lajçak.
Siç raportoi zyra e kryeministrit në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit. Ai u shpreh se për të vijuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet t’i jepet fund sulmeve nga grupet kriminale kundër forcave speciale.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, citohet Kurti.
Më pas, Kurti ka thënë se vetëm sundimi i ligjit i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira.
”Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës, u përshkallëzuan sërish pas mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat në veri të Kosovës. Duke qenë se Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet, ndërkombëtarët shprehën keqardhje, por nuk ndaluan qeverinë e Kosovës të mos zhvillonte zgjedhjet. Veriu i Kosovës zhvilloi zgjedhjet por edhe qytetarët nuk votuan, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, në 4 komunat në veri të Kosovës dy partitë e mëdha shqiptare në Kosovë, PDK dhe LVV ndanë pushtetet duke fituar secila nga 2 komuna. Nga ana e ndërkombëtarëve pati keqardhje për mos marrjen pjesë në zgjedhje, megjithatë nuk i cilësuan si antikushtetuese.
Ka qenë kjo retorikë e ndërkombëtarëve, pra SHBA dhe BE-së ajo që në fakt ka nxitur edhe tensionet. Duke mos marrë një sinjal alerti për zgjedhjet në veri, Kurti i sheh po ashtu si të ligjshme, nga ana tjetër serbët në veri të Kosovës nisën protestat që prej datës 26 maj. Forcat speciale dhe policia e Kosovës kanë qenë në zonë për të mbrojtur 4 kryetarët shqiptarë, të cilët nuk i lënë të shkojnë në zyrë.