Protestat dhe trazirat shpërthyen në Paris të Francës gjatë natës pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili nuk arriti të ndalonte kur u urdhërua nga efektivët.
Një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.
Adoleshenti, i quajtur Naël M, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.
Oficeri i akuzuar se e qëlloi është arrestuar me akuzën e vrasjes.
Sipas gazetës Le Monde, policia fillimisht tha se adoleshenti e drejtoi makinën e tij drejt tyre me qëllim që t’i lëndonte.
Por pamjet e postuara në internet, të verifikuara nga agjencia e lajmeve AFP, tregojnë një histori tjetër.
Ajo tregon dy oficerë që përpiqen të ndalojnë automjetin. Njëri i drejton armën shoferit përmes dritares dhe duket se gjuan drejt tij, ndërsa ai përpiqet të largohet.
Agjencia gjithashtu raporton se një person në video mund të dëgjohet duke thënë “do të të qëllojnë në kokë” – por është e paqartë se kush e thotë këtë.
Dy të tjerë ishin në makinë në momentin e të shtënave – njëri u largua ndërsa një tjetër, gjithashtu i mitur, u arrestua dhe u mbajt nga policia.
Të shtënat shkaktuan një seri protestash të martën mbrëma në Nanterre, zona në perëndim të Parisit ku u vra adoleshenti.
Makinat dhe koshat e plehrave u dogjën dhe stacionet e autobusëve u shkatërruan. Në afërsi të komisariatit u hodhën edhe disa fishekzjarrë. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve krijuan barrikada gjatë gjithë natës. 20 persona u arrestuan pas trazirave.