Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore para ndeshjes me Moldavinë, që luhet të shtunën e 17 qershorit. Kuqezinjtë kanë punuar në stadiumin “Air Albania” për më shumë se një orë me të gjithë grupin që ka qenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo.
Skuadra ka punuar më shumë me topin, pa ngarkesa fizike, dhe lojtarët janë shfaqur në formë të mirë. Trajneri ka provuar situata të ndryshme loje dhe vendosje të ndryshme taktike.
Me këtë seancë Kombëtarja ka përmbyllur përgatitjet që kanë zgjatur për rreth 11 ditë për dy ndeshjet e qershorit të kualifikueseve të Europianit Gjermani 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Shqipëria luan të shtunën me Moldavinë në stadiumin “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor përballet në transfertë ndaj Ishujve Faroe.