Nga Ylli Pata
Protesta e një grupi të vogël të nxitur nga përkrahësit e Albin Kurtit përballë zyrës së Edi Ramës, ka hapur edhe njëherë betejën politike mes dy mazhorancave në Tiranë e Prishtinë.
Natyrisht numri modest i pjesëmarrësve nuk mund t’i japë këtij demonstrimi një dimension fuqie në fushë, por megjithatë, Kurtit i intereson një hapësirë e re për sherr, për politikën e tij, në një moment izolimi.
Duket, Kurti kërkon ta përdorë Edi Ramën, si një atu për betejën e tij, e natyrisht një tabelë për ta sulmuar si direkt, ashtu edhe nga masa e militantëve të tij të zëshëm në rrjete sociale.
Me dashje apo pa dashje, mungesa edhe të një opozite të fortë në Kosovë, e ka bërë opinionin anti-Kurti, që të shikojë te Edi Rama, një mundësi për ta shfryrë tollumbacen e Vetëvendosjes që mori mazhorancën në Shën Valentinin e 2021.
Në Kosovë tashmë opinioni është i ndarë: Kush është me Albin Kurtin e urren Edi Ramën, kush është kundër tij, po e përkrah gjithnjë e më shumë.
Këtë betejë po e dëshiron gjithnjë e më shumë Albin Kurti, i cili duket se po i devijon çështjeve kryesore të axhendës së Kosovës, e kërkon rrugëdalje nacionaliste.
Ndërkaq, edhe vetë Rama, nuk është se i shmanget, edhe pse ende nuk ka hyrë në betejë. Marrëdhëniet e tij solide me Hashim Thaçin që është armiku kryesor i Kurtit edhe sot, takimet në familjen e Hashimit në Drenicë, kanë dhënë një efekt të rëndësishëm në opozitën e Kosovës, e cila pas arrestimit tëi sh-krerëve të UÇK-së, duket si e asfiksuar. Kjo pasi liderit e rinj janë të kompleksuar prej diskursit nacionalist të Albin Kurtit, e frikësohen që të avancohen në këtë situatë kritike.
Vetë Albin Kurti, ka tentuar para disa vitesh që të hyjë fort në Shqipëri për të rrëzuar Edi Ramën. E ka bërë që në vitin 2018, kur dërgoi njerëzit e tij të stërvitur me protesta që të jepnin një dorë gjatë lëvizjes së studentëve në dhjetor. Ndërkaq siç dihet mori pjesë në zgjedhje, si një mundësi për të shkëputur sa më shumë pjesë të majtë të votuesve të Partisë Socialiste.
Sipas të gjitha gjasave, po shohim vetëm një nxjemje të vogël të një beteje që sipas të gjitha gjasave do të vijë duke u fuqizuar, e provokuar nga të dy palët. Kurtit duket se i leverdis një përshkallëzim, por nuk se Rama po dhe do t’ja përtojë.
E sipas gjasave, përplasja do të bëhet pikërisht për marrëveshjen që Kurti refuzon që ta zbatojë, atë që firmosi vetë në Ohër.