Nga Mero Baze/

Qeveria e Albin Kurtit në Kosovë dhe njerëzit më të afërt të rrethit të tij po harxhojnë më shumë energji të shajnë dhe fyejnë ata që u morën me lirinë e tre policëve nga Serbia, se sa të gëzohen me faktin që ata u liruan dhe tani të fillojnë procesin e qetësimit të situatës duke u tërhequr nga gjithë aktet që shkaktuan këtë krizë.

Në qendër të sulmeve është përsëri Edi Rama, meqë ai u përfol si një nga njerëzit që ndikoi direkt në lirimin përmes përdorimit të lidhjeve të tij ndërkombëtare që shtuan presionit mbi Aleksandër Vuciq. Ai ia kërkuar personalisht qysh ditën e parë Vuciqit lirimin e tyre dhe pas refuzimit të tij natyrisht që ka punuar me faktorin ndërkombëtar dhe liderë rajonal me ndikim mbi Vuçiq siç është kryeministri i Hungarisë, Orban dhe presidenti i Turqisë, Erdogan. Qëndrimi i fortë dhe i prerë i SHBA dhe Bashkimit Evropian ishte po ashtu i rëndësishëm, por ai u përdor nga Aleksandër Vuçiq që të rriste pazarin e tij, për tre policët.

Mund te themi pra që për lirimin e tyre luftoi SHBA, Bashkimi Evropian, Edi Rama, Orban etj. I vetmi që nuk luftoi asnjë ditë që ata të liroheshin ishte Albin Kurti. Madje njerëzit e tij të afërt flisnin dhe për linçimin e tyre si tradhtarë që u dorëzuan të gjallë. Por po i injorojmë të marrët për një moment dhe të merremi me anën serioze të problemit. Dhe ana serioze e problemit është pyetja: Pse Albin Kurti ngjan i mërzitur që tre policët janë të lirë?

Së pari, është i mërzitur pasi përpjekja e tij për t’u dukur viktimë mbaroi, dhe Serbia e hodhi topin në fushën e tij. Atij tani, përveçse t’i çojë ndërresa dhe për të ngrenë e për të pirë, atij kryetarit që ka murosur në Komunën e Leposaviqit, i duhet të ulet seriozisht e të bëjë detyrat që i ka lënë Samiti i Ohrit për planin franko- gjerman.

Detyra e parë është Asosacioni i Komunave me shumicë serbe. Ai është hapi i parë i depërshkallëzimit. Dhe atë duhet të nisi ta bëjë një orë e më parë. Nuk ka rëndësi nëse do zgjedhë propozimin e Isa Mustafës, Edi Ramës, atë të Fondacionit Fridrich Herbert apo të vetin. E rëndësishme është që duhet të ulet e ta firmosë.

Së dyti, duket i mërzitur pasi gjithë faktori ndërkombëtar perëndimor është rreshtuar kundër tij dhe pro Shqipërisë në këtë rast. Siç tha i dërguari i SHBA Escobar në një takim të mbyllur me shoqërinë civile në Tiranë para disa mujash, “çdo ditë nisemi në punë të ndihmojmë Kosovën dhe gjendemi përballë Kosovës”. Ky është realiteti që ka prodhuar Albin Kurti me SHBA, Bashkimin Evropian dhe gjithë aleatët e tij.

Edhe pse nuk e kuptoj, arrij ta marr me mend përpjekjen e tij për të shpëtuar nga kjo situatë duke ngjallur paranojën se po e tradhton Edi Rama. E kuptoj se atij i duhet një armik shqiptar që të plotësohet tabloja e armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm të kombit shqiptar. Por në këtë histori ai ka futur në armiq të kombit shqiptar, SHBA, BE dhe Shqipërinë, dhe nuk di kush i ngelet aleat, përveç Rusisë, Kinës dhe Serbisë.bEdi Rama është në një gjatësi vale me SHA dhe BE në qëndrimin ndaj tij dhe nuk është çmendur që për hallet e Albin Kurtit dhe marrëzitë e tij të hedhë në erë të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë.

Dëmi më i madh që Shqipëria mund t’i bëjë Kosovës është të futet në armiqësi me SHBA dhe BE, dhe ta dëmtojë Kosovën përjetësisht si një hapësirë shqiptare problematike. Për fat kjo nuk po ndodh dhe derisa Shqipëria të jetë aleate e SHBA dhe BE, Kosova është gjithnjë e sigurtë, edhe pse ka një kryeministër anti-perëndimor që po përpiqet të krijojë një front anti-perëndmor në Kosovë.
Me ndihmën e Shqipërisë, për Kosovën fronti anti-perëndimor i Albin Kurtit në Kosovë do bjerë, ndërsa me ndihmën e Shqipërisë për Albin Kurtin, ky front mund të kthehet në vdekjeprurës për kombin shqiptar.

Së fundmi, Albin Kurti nuk është i lumtur për tre policët e liruar, pasi ai tani nuk krekoset dot më në Veri të Kosovës pa ndihmën e KFOR. Dhe KFOR nuk ka për ta lejuar as të shkelë më në veri të Kosovës pa kryer detyrimet ndërkombëtare që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Policët e Albin Kurtit më shumë se viktima të Serbisë janë pengje të Albin Kurtit për t’iu kundërvënë faktorit ndërkombëtar. Tani që tre pengjet janë të lirë, Albin Kurti thjesht duhet të ulet e të bëjë detyrat e tij. Edhe pse është cinike, por ai më me dëshirë kishte pritur lajmin që serbët i vranë tre policët, se sa lajmin që ata i liruan. Liria e tyre është fillimi i burgut të Albin Kurtit. Ai tani po ndeshet me pasojat e marrëzisë së tij, duke dëmtuar rëndë Kosovën, por dhe paqen në rajon.