Nga Alba Malltezi/
Titulli i këtij blogu, ky opinion, nuk ka qëllim asesi të jetë një sharje, një ofendim. Përkundrazi, është koncentrati i një vëzhgimi të gjatë bërë së largu ndaj një lideri shqiptar që fillimisht ngrohte dhe mbushte zemrat e shumë bashkëkatdhetarëve. Shpresojmë të vazhdojë ta bëjë, duke harruar një ves të rrezikshëm: “Enverizmin”.
Gjithësesi, duke e konsideruar Albin Kurtin si Enverist, nuk e kanalizojmë as drejt komunizmit, as drejt socializmit, por në një kategori krejt të rrezikshme dhe të veçantë, që prek individë në këtë cep të Ballkanit: Një enverist është një njeri i paaftë të negociojë dhe të bëjë kompromise në mes të një mosmarrëveshje, në mes të një konflikti. Një enversit nuk dialogon, nuk pranon, nuk ndryshon,izolohet, nuk dëgjon, por ngurtësohet dhe kërkon të ngurtësojë gjithçka që e rrethon. Një enverist prishet dhe allnohet me të gjithë. Albin Kurti është e kundërta e Ibrahim Rugovës, por edhe e Hashim Thaçit, të cilët, në kushte tepër më të vështira, nuk u ngurtësuan kurrë.
Albin Kurti i pat dhënë shenjat e enverizmit, kur në Tiranë flirtonte kollaj vetëm me enveristët më autentikë dhe tipikë të Tiranës: Sali Berisha me të ngurtësuarit e tij. Janë të gjithë një format: I ngrirë, i kallkantë, janë të mbyllur, përjashtues për këdo që e mendon ndryshe, që është ndryshe. Enveristët, të denjë pasardhës të babait të tyre: Nuk dialogojnë, nuk flasin, nuk negociojnë, nuk ndryshojnë! Ata mbyllen, kufizohen, përjashtojnë, izolohen. Dikur Enveri e bëri me një popull të tërë. Sot këta e bëjnë me ata dhe aq sa mundin.
Për të justifikuar ngurtësimin e tyre, shpallin armiq anembanë: janë armiq ata tradicionalë, por bëhen armiq edhe ata që i këshillojnë, që i ndihmojnë, që i mbrojnë, apo që i ndihmuan të mbijetojnë nga një shfarosje. Pikërisht tamam siç bënë dhe bëjnë aleatët tanë amerikanë dhe perëndimorë. Nuk kuptohet se pse ndihma amerikane kur shqiptarët e Kosovës kishin nevojë në çmendurinë e ’99 ishte më e çmuar se ari dhe sot, nga të njëjtët njerëz që e jetuan edhe atë kohë, të shpërfillet, të diskutohet, të moskonsiderohet.
Si komunist, e vlerësonim faktin që Albin Kurti jetonte në një shtëpi 65 metra katrorë. Por komunistët ë këtë kënd të botës sonë kështu e fillojnë, pastaj iu pëlqen të shndërrohen si Enveri dhe nga komunist, në enverist, është me mes një det i tërë, madje një mentalitet i tërë, i mbushur me përbërës jetësorë për një shoqëri dhe për një demokraci: aftësia e natyrshme dhe njerëzore për negociatë, dialog dhe kompromis. Që një enverist, rrezikshmë, nuk i ka!