Nga Ylli Pata
Gazmend Bardhi dhe 17 deputetë të Partisë Demokratike kanë vendosur të bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që u thirr në fundjavën e shkuar prej kryesisë së PD-së.
Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm dhe ushtruesi i detyrës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, ka theksuar se bojkoti i tij dhe 16 kolegëve të tjerë, bëhet për të ndaluar shpërbërjen e Partisë Demokratike.
Por në fakt, kur kryesia e Partisë Demokratike vendosi pas një mbledhje me mjaft përplasje, nisjen e procesit së zgjedhjes së kryetarit, Bardhi dhe kundërshtarët e procesit, kërkuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar, pasi sipas tyre, ai është organi që mund të marrë vendimin për këtë çështje.
Po përse atëherë kur u vendos mbledhja e Këshillit, Bardhi dhe grupi i deputetëve nuk merr pjesë? Kur normalisht, tezat e tij mund t’i mbrojë përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar, e të kërkojë e lobojë të marrë shumicën e anëtarëve. Nëse Këshilli voton kundër hapjes së procesit të kryetarit, si Bardhi, ashtu edhe deputetët e tjerë, do të korrnin një fitore të rëndësishme politike, e të çonin tej tezën e tyre të bashkimit të PD-së.
Mirëpo, bojkoti, sipas të gjitha gjasave tregon se as Bardhi, e as deputetët që e përkrahin, nuk mendojnë se anëtarët e Këshillit Kombëtar do të përkrahin idenë e tyre, e kështu që e gjithë përpjekja do të shkojë kot. Po atëherë cila është rruga përpara? Ka dy të tilla. E para është që të vijohet beteja brenda organizatës për të siguruar hapësirën e duhur, duke bindur e lobuar të gjithë komunitetin e anëtarësisë së PD-së, e dyta është largimi përfundimtar.
Kështu ndodh në çdo logjikë politike kur një individ apo grup shikon se nuk e gjen hapësirën e duhur në një organizatë apo parti politike.
Gjithsesi, e gjithë kjo situatë kaotike e shpërbërjes në këtë derexhe të grupit parlamentar të PD-së në tre grupe rivale e të ndryshme, është thjesht pasojë e një situate shpërthyese që ka nisur që herët. Normalisht gjithkush mund të thotë, duke u nisur edhe dialektika politike se gjithçka nisi pas humbjes së 25 prillit 2021, e cila ishte traumatike ngaqë ishte e treta pas 2013-s, e natyrshëm krijon një eksplozion të tipit Big-Bang në politikë.
Por në realitet, pas zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit nuk ndodhi asgjë. Të gjithë këta deputetë që sot, qoftë ata pro Bardhit, qoftë ata të foltores së Berishës, kanë qenë pjesë e koerografisë së errësirës para selisë së PD-së, ku Lulzim Basha shpalli slloganin e famshëm e aq të tallur: “Lufta fillon tani”!
Më 19 maj të 2021-shit, qeveria e SHBA shpalli Non Grata Sali Berishën, dhe zyrtarë të lartë të SHBA i kërkuan Partisë Demokratike të mbante qëndrim politik mbi këtë zhvillim të rëndësishëm. Madje pati qëndrime krejt të qarta si ai se “nëse PD do të rrijë peng e së kaluarës i bie se do të hajë bar”, duke sjellë kështu një referencë me citat famëkeq të Enver Hoxhës kundër “imperializmit amerikan”.
Siç e dimë, nga deputetët e PD-së nuk ka pasur asnjë qëndrim të qartë, përveç disa emrave të njohur që kërkuan distancimin e Berishës nga partia. Mirëpo kryetari historik jo vetëm nuk u largua, por i kërkoi PD-së që ta mbronte në betejën e tij me Amerikën dhe Perëndimin, që padyshim ishte e qartë që ishte thjesht donkishoteske. Sërish nuk pati asnjë qëndrim nga deputetët, e natyrisht nga elita e PD-së.
Ndërkaq, ishin po këta deputetë, së bashku me Sali Berishën që mbështetën hapur dhe fort Lulzim Bashën për tu rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike në korrikun e 2021-shit, kur zëra të ndryshëm nga brenda PD-së por dhe jashtë saj por brenda komunitetit të opozitës kërkonin një reflektim e një moment të ri për gjithë botën opozitare.
Po cila ishte ajo shkëndijë që shkaktoi shpërthimin e madh kozmik në PD? Për këtë nuk ka dyshime: Ishte vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Zyrtarizim që u bë edhe me shkresë të posaçme nga kreu i grupit Enkelejd Alibeaj, i cili më pas u konstitua në Kuvend.
Ai vendim solli kaosin, por edhe hapi një rrugë të re për PD-në, që ajo të transformohej duke hedhur e lënë pas krahëve berishizmin. Në këtë rrugë, u ndanë një grup deputetësh që ju bashkangjitën menjëherë foltores së Sali Berishës, kurse të tjerët qëndruan me Lulzim Bashën. 8 janari 2022 ishte edhe sprova e parë e një përplasjeje epike mes foltores dhe PD-së. Betejë që vijoi gjatë me mjete politike, parapolitike e natyrisht ligjore e gjyqësore.
Por grupi i Lulzim Bashës u kris fort siç dihet pas zgjedhjeve të pjesshme të marsit 2022, kur formacioni i Berishës dhe Metës morën më shumë sesa PD në ato bashki kur u votua. Këtu, një grup i madh deputetësh, ku më të zëshëm ishin Grida Duma e Ervin Saljanji kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Lulzim Bashës. I cili u largua, duke lënë regjencë kreun e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.
Kjo shkaktoi natyrisht një pakënaqësi të madhe nga një grup deputetësh, që megjithatë qëndruan në PD. E vetmja që u largua në fillim ishte Grida Duma. Të tjerët, bënë mjaft lëvizje e tratativa për një bashkim me foltoren, por që Berisha nuk i qasi. Siç dihet më pas, disa ikën te foltorja për tu kandiduar për kryebashkiakë, disa të tjerë si Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku etj, arritën që të ndalojnë që PD të dalë me 61 kandidatë në zgjedhjet e 14 majit.
Po përse ndodhi e gjitha kjo? Pasi natyrisht ka një backround të panjohur që është poshtë asaj që dihet. E këtë e ka ditur çdo deputet i PD-së, si brenda saj, si në foltore.
Ky backround është se Lulzim Basha, arriti t’i rezistojë për mbi 6 muaj deri sa ishte ai në detyrë, por edhe më gjatë kur ishte larguar, presionit dhe egërsisë së Foltores për të zaptuar Partinë Demokratike, me ndihmën e një strukture të PD-së, që Basha e formoi në 2017-n, por që e fuqizoi pas zgjedhjeve të 2021-shit.
Kjo strukturë ishte Kolegji i Kryetarëve, i cili ka mbajtur peshën në të gjithë vendin në rezistencën ndaj sulmit të foltores. Kjo, jo natyrisht me fjalë, por me njerëzit që janë pjesë e strukturave të degëve të partisë.
Madje edhe rezistenca e 8 janarit, ku Sali Berisha nuk e pushtoi dot selinë e PD-së, është mbajtur në pjesën më të rëndësishme nga militant të PD-së nga strukturat e saj të bazës.
E pikërisht kjo peshë e shtuar e saj, ndryshoi ekuilibrin politik brenda Partisë Demokratike. Duke e bërë Kolegjin e Kryetarëve, strukturën bazike të bërthamës së mbijetesës së PD-së.
Duhet thënë se marrëdhëniet e Kolegjit me kupolën e PD-së janë mbajtur nga Lulzim Basha personalisht, qoftë kur ishte kryetar de jure, qoftë edhe kur u largua. Kur vijoi të zhvillonte takime informale në disa zona të Shqipërisë, në formë drekash, kafesh apo diskutimesh jo zyrtare.
Që atëherë, Bardhi e një pjesë e madhe e deputetëve të PD-së, nuk e kanë pëlqyer këtë sjellje, këtë fuqizim jashtë formatit të krerëve të degëve. E është fakt se Bardhi, Tabaku, apo të tjerë nuk se kanë qenë në takimet e tilla. Ndërkaq, është e vërtetë se të gjithë këta deputetë, e kanë ditur se Lulzim Basha nuk ishte larguar përfundimisht, pasi tha: “Po bëj një hap mbrapa”. Pra vetëm një hap.
Por nuk folën e nuk kundërshtuan as publikisht e as në struktura. I vetmi dhe më i drejtpërdrejti në realitet është treguar Ervin Saljanji. i cili që në verën e vitit 2022, pra një vit më pare, shpalli se “Lulzim Basha do të rikthehet, e ne do të kemi dy parti të dalë nga PD”. Të gjithë të tjerët heshtën atëherë.