22 Qershor, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, deklaroi se diskutimet me studentët e mjekësisë do të vijojnë për gjetjen e zgjidhjeve më të mira, duke mbajtur në konsideratë punësimin e mjekëve të rinj në Shqipërinë 2030.
“Kemi nisur një cikël diskutimesh, ku kemi patur ide të ngritura nga studentët, por gjithashtu edhe opsione e zgjidhje të cilat besojmë që deri në fund të ciklit të këtyre diskutimeve do të gjendet zgjidhje, mekanizma, dhe do të bëhet më e mirë që është e mundur, në mënyrë që ne të mos mendojmë vetëm për atë që mund të japim sot, sepse një qeveri e përgjegjshme ndërton politika të cilat i rezitojnë kohës, mendon për të sotmen, për të nesërmen, por edhe për atë që do të vijë në 2030”,- deklaroi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu foli edhe për punësimin e mjekëve në vitet e fundit, ku tha se më shumë se 500 mjekë specialistë janë punësuar nga 2018.
“Me hapjen e  specializimeve cikle të cilat janë hapur përgjatë këtyre viteve, janë më shumë se 2000 specialistë, të cilët tashmë janë duke u përgatitur dhe më shumë se gjysma e tyre tashmë kanë dalë nga cikli i specializimeve dhe janë duke ushtruar profesionin e tyre. Më shumë se 500 mjekë specialistë në këto 5 vite, nga 2018-ta e deri më sot, janë atashuar pranë spitaleve tona rajonale, bashkiake, universitare dhe janë duke ushtruar profesionin e tyre dhe duke ofruar më shumë shërbime afër vendbanimit. Vetëm me përfundimin e ciklit të fundit të specializimeve, pra që përfundoi tani në muajin mars, janë 60 mjekë specialistë që janë atashuar pranë spitaleve tona rajonale dhe bashkiake”,- nënvizoi Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen për mjekët, Manastirliu theksoi se aktualisht specializantët paguhen me 80% të rrogës se mjekut specialist, me një pagë që shkon mbi 1 mijë euro.