Rusia ka vendosur tashmë një grup të parë të armëve bërthamore taktike në Bjellorusi. Konfirmimi u bë nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Rusisë në Shën Petersburg.

Kreu i Kremlinit tha se ato do të përdoren vetëm nëse territori ose shteti i Rusisë kërcënohet.

I pyetur nga moderatori i forumit për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, ai u përgjigj: “Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Tashmë kam thënë se përdorimi i masave ekstreme është i mundur në rast rreziku për shtetësinë ruse”.

Putin tha se transferimi i kokave bërthamore taktike do të përfundojë deri në fund të verës. Sipas tij kjo masë ishte një paralajmërim për këdo që kërcënon Rusinë.

“Masa ka të bëjë me përmbajtjen dhe për t’i kujtuar kujtdo që mendon të na shkaktojë një humbje strategjike”.
Qeveria amerikane thotë se nuk ka asnjë indikacion se Kremlini planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.

“Ne nuk shohim asnjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pas komenteve të Putinit.
Bjellorusia është një aleat kryesor rus dhe shërbeu si një pikënisje për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Putini në shkurt të vitit të kaluar.

Armët bërthamore taktike janë koka të vogla bërthamore dhe sisteme shpërndarjeje të destinuara për përdorim në fushën e betejës, ose për një goditje të kufizuar. Ato janë krijuar për të shkatërruar objektivat e armikut në një zonë të caktuar pa shkaktuar pasoja të përhapura radioaktive.