Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha në një intervistë për Euronews Albania se nuk mund të ketë një gjuhë neutrale kur dihen dhunuesit, referuar këtu situatës aktuale mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve.

Sipas saj qëndrimi i Borrell, por dhe ai i Lajçak po e dëmton procesin. Deklaratat se policët janë arrestuar dhe jo rrëmbyer apo dhe komente të tjera duhet të kontrollohen në bazë të parimeve të secilit shtet europian.

“Për Kosovën nuk është aspak ndjenjë e mirë, megjithatë ne i kemi pasur dyshimet dhe vërejtjet tona në vazhdimësi.

Roli që duhet të ishte ndërmjetësues dhe lehtësues i zotit Lajçak ka kohë që ka devijuar në rolin e një arbitri apo në rolin e ndërmjetësit që merr anë. Kjo na është thënë dhe në Parlamentin Evropian në takimet e vazhdueshme, në takimet e rregullta që kemi atje.

Janë të tjera mesazhet që ai thotë publikisht dhe të tjera mesazhet që ai thotë brenda dyerve dhe korridoreve të parlamentit europian prandaj ne i kemi ngritur këto shqetësime edhe te vendet e BE-së, edhe direkt me zotin Lajçak dhe duket se tashmë është me një maskë evidente që as nuk mundohet të mbulohet njëanshmëria e zotit Borrell dhe pjesërisht dhe e zotit Lajçak,” – u shpreh Mimoza Kusari Lila.

Deputetja e VV-së shtoi se i vjen keq që mbledhja mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nuk u realizua, ndërsa theksoi se është e dhimbshme situata aktuale.