Qeveria britanike prezantoi sot legjislacionin që i lejon asaj të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë derisa Moska t’i paguajë reparacionet Ukrainës, ndërsa Londra njoftoi gjithashtu një politikë të re për përdorimin e aseteve të ngrira që do të jepen për rindërtimin e Ukrainës. Legjislacioni i ri do të thotë se sanksionet mund të përdoren për të inkurajuar Rusinë të paguajë reparacione. “Ndërsa Ukraina vazhdon të mbrohet kundër pushtimit rus, efektet e tmerrshme të luftës së Putinit janë të dukshme. Nevojat për rindërtim të Ukrainës janë – dhe do të jenë – të mëdha”, tha Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverley.

“Me masat e reja që po zbatojmë sot, ne po forcojmë qasjen e sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, duke konfirmuar se jemi të përgatitur të përdorim sanksione për të siguruar që Rusia të paguajë për të rindërtuar vendin që sulmoi në mëyrë të paprovokuar”, shtoi Sekretari i Jashtëm britanik. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Britania ka ngrirë asete me vlerë më shumë se 18 miliardë paund dhe ka vendosur sanksione kundër më shumë se 1,550 rusë, përfshirë ish-pronarin e ekipit të futbollit, Roman Abramovich, Chelsea. Qeveria britanike theksoi gjithashtu se rusët e sanksionuar që thonë se mbështesin Ukrainën do të kenë tani një mënyrë të re për të dhuruar fondet e tyre të ngrira për të rindërtuar Ukrainën.

“Ky do të jetë një proces vullnetar në të cilin individët e sanksionuar mund të aplikojnë për lirimin e fondeve me qëllimin e shprehur për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës”, thuhet në deklaratën e qeverisë. “Nuk do të ketë asnjë shtrëngim për të inkurajuar individët për të transferuar fonde, as nuk do të ketë asnjë ofertë lehtësimi të penalitetit në këmbim të dhënies së një donacioni,” sqaroi qeveria.