Për herë të parë një kryeministër realizon një podcast ku tashmë nuk është më në karrigen e të intervistuarit siç ndodh gjithmonë me kryeminsitrat e vendit. Në podcastin e Edi Ramës “Flasim” ai është në rolin e moderatorit.
Një nismë e re por që Rama beson se të tjerë do e ndjekin pas, ashtu siç e kanë ndjekur edhe me modelin e veshjes së atleteve me kostum. Në fakt kanë nisur ta ndjekin. Ish ministri i Jashtëm, socialisti Ditmir Bushati ka nisur një podcast ku fton personalitete të njohura të botës.
Pjesë nga biseda e podcastit me këngëtaren Elvana Gjatën
Elvana Gjata: Po një herë në jetë ndodh që një kryeministër bën një podkast edhe kemi siç e thashë dhe në mesazh, ndajmë të dy sukses në karrierat tona dhe do kisha shumë kënaqësi që të flisja për disa gjëra që ndoshta nuk i kam prekur më parë.
Kryeministri Edi Rama: Unë kam bërë disa gjëra që duket sikur ndodhin një herë në jetë. Pastaj, të tjerët i kanë marrë dhe i kanë bërë shumë herë në jetë. Kështu thoshin edhe kur unë vesha atlete me kostum. Pastaj, të gjithë jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera tani i përdorin atletet me kostum. Për mos thënë të tjera, të tjera…
Elvana Gjata: Me kollare me ngjyra nuk kam parë njeri akoma.
Kryeministri Edi Rama: Po se është pak më e sikletshme që t’u shkosh mirë ngjyrave. Po, gjithsesi, unë besoj që ti je akoma shumë e re dhe do kesh një jetë ku do ketë dhe të tjerë që do përpiqen të bëjnë këtë që unë bëj për herë të parë në jetë.