Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prej pak ditësh ndodhet në Bruksel, ku po zhvillon disa takime të rëndësishme, me në fokus situatën në Kosovë.
Pas takimeve me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe së fundmi me presidenten e Komisionit Europian, Von der Layen, Rama është takuar edhe me përfaqësuesin e BE, Josep Borrell dhe Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Pas takimet me Michel, Rama ndau detajet përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!
Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Ndërsa pas përfundimit të takimit me Von der Leyen, ishte kjo e fundit që pati një reagim duke u shprehur se me kryeministrin Rama diskutuan mbi Ballkanin Perëndimor dhe progresin e Shqiëprisë drejt BE.
“Takim shumë i mirë me Edi Ramën. Ne diskutuam progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe planin tonë të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë.” shkruan Von der Leyen në Twitter.