“Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.
BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës! Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë.
Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës”, shkruan Rama.