Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje për lirimin e menjëershëm të 3 policëve shqiptarë të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të Kosovës. Ai tha se tre policët nuk kanë bërë asnjë krim dhe shtoi se edhe në rastin se do të kishin shkelur vijën kufitare, thjesht mund të ishin kthyer mbrapsht pa marrë masa të tilla.

“Së pari është e menjëhershme nevoja dhe domosdoshmëria që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo kanë hyrë atje, apo janë kapur diku për të cilat KFOR-i nuk do të japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse do supozonim se kanë shkelur vijën e kufirit, ka vetëm një përgjigjie, kthimin e tyre në shtëpi”-tha Rama.

Sa i takon situatës më të tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se bashkësia euroatlantike ka ofruar një zgjidhje të përbashët që do t;i japë fund njëherë e mirë përplasjeve dhe do të sigurojë njohjen e Kosovës edhe nga Serbia. Ai tha se marrëveshja e ofruar në tavolinë nga ndërkombëtarët është një mundësi që në ardhmen mund të mos përsëritet më.

“Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme për de-eskalimin. Ajo që është më e rëndësishmja për interesin tonë është që paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri për të bërë Kosovën të njohur nga Serbia. Ky moment është kaq i rëndësishëm sa të gjithë këto të tjerat janë produkt i një devijimi tërësisht të panevojshëm të fokusit. Fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë. Sot bashkësia euroatlantike i ka dhënë mundësinë e artë Kosovës, propozimi i BE dhe SHBA është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje në tavolinë dhe kjo mundësi e artë në këtë moment, nuk do jetë aty përgjithmonë sepse situatat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk do kemi zgjidhje”- tha kreu i ekzekutivit.

Rama shtoi se veprimet e tjera të ndërmarra në kundërshtim me sugjerimet e ndërkombëtarëve, shërbejnë si ekzaltim për persona të cilët sipas tij humbin kohën me luftëra imagjinare.

“Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e identifikojnë veten si patriotë në lufta imagjinare por nuk sjellin asgjë përveç humbjes së kohës dhe mundësisë”-theksoi ai.