Megjithë arritjen në finalen e Champions, Interi është gati të bëjë revolucion në skuadër. Zikaltërit po punojnë për të realizuar manovra të mëdha me emra të rëndësishëm, por gjithsesi pa shpenzuar shifra marramendëse.

E vetmja siguri te zikaltërit është se Barella cilësohet i paprekshëm. Mediat angleze spekuluan për ofertë me vlerë 60 milionë euro nga Newcastle. Edhe pse qymyrxhinjtë i mohuan këto zëra, te Interi nxituan ta cilësonin të pashitshëm mesfushorin.

Barella, ashtu sikurse edhe Bastoni, Calhanoglu dhe Lautaro Martinez pritet të rinovojnë me klubin, pasi janë në qendër të projektit të ri. Interi po punon të mbajë edhe për një tjetër sezon Lukakun në huazim nga Chelsea. Klubi anglez nuk e pranoi ofertën e zikaltërve, që nëpërmjet Marotta-s dhe Ausilio-s synuan gjithashtu të huazonin edhe mbrojtësin Koulibaly, për të zëvendësuar të larguarin Skriniar.

Klubet po studiojnë situatën, për të vijuar negociatat, ndërsa Interi ka avantazhin se lojtarët i janë përgjigjur pozitivisht transferimit në San Siro. Negociatat pritet të vazhdojnë, pasi blutë e Londrës kanë shfaqur interes për portierin Onana dhe për mbrojtësin Dumfries.

Një tjetër yll që mund të largohet nga Interi është Brozovic. 30-vjeçari është përfshirë në listën e atyre që mund të shiten, nëse oferta është e duhura. Për kroatin interesohet Newcastle, por ofertat nuk mungojnë as nga Arabia. Zikaltërit kërkojnë 25 deri në 30 milionë euro dhe me këtë shitje do të ulnin shpenzimet për pagat e lojtarëve. Alternativat për të zëvendësuar Brozovic janë Milinkovic-Savic dhe Frattesi.