Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë si dhe KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur në rastin e rrëmbimit të tre policeve ne veri.

Në një prononcim për gazetën Express, ai ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet apo thirrjet qe e tensionojnë situatën edhe më shumë. “Ne jemi në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, ka deklaruar Stano.

Serbia ka rrëmbyer tre policë kosovarë brenda kufirit të Kosovës. Kosova këtë e ka quajtur si akt agresor, teksa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë.