Maturantët i nënshtrohen këtë të enjte provimit të Gjuhës së Huaj, që shënon dhe provimin e parë për Maturën Shtetërore. Provimi është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
Më datë 7 qershor, maturantët do të zhvillojnë provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ndërsa me 13 qershor do të zhvillohet provimi i Matematikës dhe provimi i katërt dhe përmbyllës i këtij cikli është provimi me zgjedhje, i cili do të mbahet më 19 qershor.
Rreth 30 mijë maturantë nisin këtë të enjte provimet e maturës, një proces ky, i cili do t’u hapë rrugë nxënësve të vijojnë universitetin. Këtë vit, provimet e maturës do të zhvillohen me ndryshimet e reja të bëra për 2023.
Në ndryshim nga maturat e viteve të shkuara, për të pasur një mbarëvajtje sa më të mirë të provimeve, si dhe për të shmangur abuzimet që mund të bëhen me procesin e administrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që këtë vit provimet nuk do të zhvillohen me nëpër klasa dhe ambiente të vogla. Për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje, si ambiente provimi janë zgjedhur sallat e mëdha. Mbi 7800 mësues janë angazhuar për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore të cilat këtë vit do të zhvillohen kryesisht në palestra dhe në korridoret e shkollave.
Për provimet e këtij viti është vendosur që të hiqet fleta e përgjigjeve. Kështu maturantët do të mund të plotësojnë përgjigjet e sakta direkt në tezën e provimit dhe jo më në fletën e përgjigjeve, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit të shkuar. Sipas ekspertëve, është vlerësuar se plotësimi edhe i kësaj flete merr më shumë kohë për maturantët, ndërkohë që shton riskun për më shumë gabime. Duke hequr plotësimin e kësaj flete, maturanti ka më shumë kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e duhur të përgjigjes direkt në test.
Për të gjitha provimet, ato të detyruara dhe lëndët me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi që jo vetëm të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit, por edhe të bëjnë rivlerësimin e tij, në rastet kur do të jenë të pakënaqur me notat e marra