Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi bën me dije se të dhënat e dala nga rinumërimi i disa kutive të votimit për Bashkitë Elbasan dhe Kamëz kanë treguar se përputhen me të dhënat që kanë dalë nga pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik.
“Të dhënat e dala nga rinumërimi, përputhen 100% me rezultatin e sistemit elektronik të transmetuara nga pajisjet elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN) në KQZ Shqipëri”, shkruan komisioneri Ilirjan Celibashi.
Sipas tij, të dhënat nga rivlerësimi/rinumërimi i disa QV-ve janë të Bashkisë Elbasan dhe Kamëz.
Në zgjedhjet e 14 Majit, veç dy bashkive të mësipërme, u votua dhe numërua elektronikisht edhe në atë të Vorës.Ndërkohë nesër do të hapen kutitë për Belshin.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka vendosur rinumërimin e votave për kryetrë bashkie në Bashkinë e Belshit. Procesi do të zhvillohet nga KQZ ditën e martë ora 13:30.
Vendimi u mor pas kërkesës së dy anëtareve të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. Nërkohë, anëtarët e tjerë të KAS ishin të mendimit se provat e sjella nga përfaqësuesit ligjor të Bashkë Fitojmë ishin jo të rregullta.
Sipas përfaqësuesve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, rreth 60 fletë votimi rezultojnë se janë konsideruar të vlefshme, ndërkohë që shënimet kanë qenë ndryshe nga ato që lejohen nga KQZ dhe këto fletë votimi pasi janë shpallur të vlefshme i kanë kaluar si vota PS.
Po ashtu është depozituar si provë dhe një video, ku sipas tyre rezultojnë se në kuti ka dy fletë votimi më shumë sesa shkruhet në kuti.