Forcat ruse kanë në erë një digë të madhe në Ukrainën jugore në qytetin Nova Kakhovka në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson.

Imazhet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një çarje masive në digën në Nova Kakhovska, në verilindje të qytetit ukrainas Kherson. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët në pjesët e ulëta të qytetit që të evakuohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kërkojnë strehim pasi përmbytjet rrezikojnë të përfshijnë të gjithë Ukrainën jugore.

Diga, 30 metra e lartë dhe 3.2 km e gjatë, u ndërtua në vitin 1956 në lumin Dnipro si pjesë e hidrocentralit Kakhovka. Ajo gjithashtu furnizon me ujë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014, dhe centralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është gjithashtu nën kontrollin rus.

Energoatom, kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore ka deklaruar se shpërthimi i digës mund të ketë pasoja negative për centralin bërthamor, por situata është nën kontroll. Zyrtarët kanë deklaruar gjithashtu se përmbytjet e fuqishme mund të çojnë në ndërprerje të furnizimeve me ujë në Krime.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e cilësoi sulmin si një akt terrorist.

“Shkatërrimi i digës së hidrocentralit Kakhovka vetëm konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të dëbohen nga çdo cep i tokës ukrainase. Nuk duhet t’u lihet asnjë metër, sepse çdo metër e përdorin për terror.”

Zelensky ka mbledhur gjithashtu Këshillin e Sigurimit për situatën.

Ndërkaq nga ana tjetër në orët e para të së martës, sirenat e sulmit ajror u aktivizuan për disa orë në të gjithë Ukrainën. Në kryeqytetin Kiev, të gjitha raketat u rrëzuan, të cilat shkaktuan vetëm ndërprerje të energjisë ndërsa nuk raportohet për viktima.

Nga ana tjetër, forcat ukrainase kanë avancuar rreth Bakhmutit. Ministria e Mbrotjes mohoi se përparimet në disa rajone lindore nënkuptojnë fillimin e kundërofensivës së shumëpritur. Suksesi ose dështimi i kësaj kundërofensive, që pritet të kryhet me armët e avancuara perëndimore ka të ngjarë të ndikojë në formën e mbështetjes së ardhshme diplomatike dhe ushtarake për Ukrainën.