Kosova së shpejti mund të përballet me sanksione nga komuniteti euroatlantik për shkak të tensioneve të krijuara në Mitrovicën veriore. Kështu thanë burime të nivelit të lartë dhe diplomatik për EURACTIV, ndërkohë kryeministri shqiptar Edi Rama anuloi takimin e tij të planifikuar me homologun e tij kosovar, Albin Kurti të mërkurën, duke përmendur masat në pritje si një nga arsyet.
EURACTIV u informua nga një burim i nivelit të lartë se BE dhe SHBA po përgatisnin një numër sanksionesh kundër Kosovës. Kjo u përforcua më vonë nga komentet e Ramës dhe burimeve të tjera diplomatike që konfirmuan se sanksionet ishin të pashmangshme. Sanksionet e përmendura në një notë të brendshme diplomatike të ofruar nga burimi përfshijnë ngrirjen e fondeve të BE-së, ndalimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset e anëtarësimit për institucionet ndërkombëtare.
Mes këtyre masave, paralajmërohet se do të ketë dhe sanksione individuale ndaj liderëve dhe zyrtarëve të lartë kosovarë. Burimi gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të mbështesë BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të stabilizuar situatën dhe gjithashtu të deklarojnë nëse i mbështesin obligimet e Kosovës në dialogun e vazhdueshëm të mbështetur nga BE-ja. Një burim i dytë diplomatik i tha EURACTIV se ata ishin në dijeni të një dokumenti që parashikonte sanksione të mundshme që po qarkullonin.
Rama dhe Kurti do të takoheshin të mërkurën në Gjakovë për të diskutuar një sërë marrëveshjesh dypalëshe, por kryeministri shqiptar anuloi mbledhjen në momentin e fundit. “Takimi i dy qeverive Shqipëri-Kosovë është anuluar”, tha Rama. Kryeministri shqiptar tha se kishte kërkuar një takim konkret me Kurtin dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes për të diskutuar situatën në veri, por kryeministri i Kosovës nuk ishte dakord me formatin e ri. Si rezultat dhe për shkak të “përkeqësimit çdo orë të marrëdhënieve të Kosovës me gjithë komunitetin euroatlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”. Rama tha dje se pasi foli me kryediplomatin e BE-së Josep Borrell, veprimet e Kosovës “kanë vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e krijoi atë”.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Tashmë është pezulluar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa, i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri. Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar. Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë. Këto tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash. Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake ‘Defender Europe 23’, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.