Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për trafik të lëndëve ndarkotike.

Nëe kuadër të operacionit policor të koduar “Moncler”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, është bërë i mundur ndalimi i Ledjo Gashit, 26 vjeç, Ergi Saliut, 29 vjeç, Brajan Lalës 24 vjeç, Erges Nexhipit 34 vjeç dhe Mario Demës 32 vjeç.

Sipas policisë në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Marikaj, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve të tyre, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 1 kg e 100 gr.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë.

Ndërkohë materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.