Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se gjatë operacionit në kampin e MEK policia ka sekuestruar 96 njësi kompjuterike të cilat po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.
“Janë sekuestruar 96 njësi komputerike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”- tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku: Muxhahedinët bënë rezistencë kur zbuluam serverat dhe pajisje kompjuterike në 17 godina
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tregon se çfarë ka ndodhur sot në kampin MEK. Ai thotë se në 17 objekte janë gjetur salla serverësh dhe pajisje kompjuterike. Në këtë moment ka nisur dhe rezistenca
“Në orën 08:00 së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë thirrëm në takim dhe na janë përgjigjur në takim të 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK. Për një orë u kemi treguar kontrollin dhe qëllimin që motivohej në vendimin e gjykatës. Gjetëm mirëkuptimin tyre për momentet e para. Pas takimit zyrtar u adresuam në hyrje të kampit dhe kërkuam hapjen e portave.
Ai është territori totalisht shqiptar dhe aspak pronë e tyre. Kemi hyrë në ambientet e territorit. Ka nisur faza e kontrollit. Për dy orë, për shkak të numrit të madh të objekteve, pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri, sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike gati në 17 objekte nisi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidencës së kampit Mek duke u përballur me policinë dhe mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Pas këtij momenti nga ana e forcave të policisë është kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme. Në asnjë rast nuk është përdorur dhunë.
Ata kërkonin të mos lejohej ekzekutimi i vendimit të gjykatës. Policia ka kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme dhe në asnjë rast nuk është përdorur dhunë nga policia.
Nuk kemi gjetur mirëkuptimin e tyre dhe më pas kanë nisur procedurat për largimin e turmave. Nga e gjithë kjo përballje policia mbeti viktimë. Ne kemi përdorur vetëm spraj. Ne kemi mbetur të dëmtuar.
Janë lënduar 15 efektivë policie dhe disa mjete të policisë. Nga ana e tyre 21 janë dërguar në spital dhe 15 kanë lënë qendrat shëndetësore”, tha Rrumbullaku. Në kampin MEK janë 127 objekte në një territor 38- -40 ha.