Një grup senatorësh amerikanë kërkoi nga administrata Biden, që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të ushtrojë presion diplomatik, për t’i dhënë fund krizës aktuale”.

Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
Senatorët paralajmëruan rishqyrtimin e mbështetjes nga Kongresi, përfshirë edhe pezullim të shitjeve të armatimeve nëse Kosova dhe Serbia “dështojnë të ushtrojnë përmbajtje” dhe “të punojnë për shtensionimin e situatës së sigurisë”.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. I vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova”, thuhet në letër.