Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se kanë informacione se Irani synon të ndërtojë fabrikë të prodhimit të dronëve brenda Rusisë, e cila mund të bëhet funksionale vitin e ardhshëm, pasi Moska dhe Teherani të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak.
Siç thuhet, kjo paraqit një kërcënim të shtuar për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe komunitetin ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë (NSC), John Kirby, më 9 qershor, tha se ndërkohë që Irani po vazhdon të furnizojë Rusinë me dronë, të vilët Moska i përdorë kundër civilëve ukrainas në luftën e saj në Ukrainë, të dy vendet tani po ndërmarrin hapa për t’iu ofruar prodhimit të dromëve, duke ndërtuar një fabrikë, rreth 1000 kilometra në lindje të Moskës.
“Ne kemi informacione se Rusia po merr materiale nga Irani, të nevojshme për të ndërtuar një fabrikë UAV (dronë) brenda Rusisë. Kjo fabrikë mund të jetë plotësisht funksional në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Kirby, ndërkaq NSC publikoi një imazh satelitor të asaj, për të cilën tha se ishte vendndodhja e fabrikës në zonën e posaçme ekonomike ruse Alabuga.
Kirby tha se Irani ka dërguar qindra dronë vetëvrasës në Rusi, që nga muaji i kaluar, si dhe pajisje për prodhimin e dromëve, duke përdorur rrugën e Detit Kaspik.
“Dronët u prodhuan në Iran, u dërguan përtej Detit Kaspik, nga Amirabadi i Iranit në Makhachkala të Rusisë, ndërkaq, më pas, u përdorën operacionalisht nga forcat ruse kundër Ukrainës”, tha Kirby, ndërsa NSC publikoi gjithashtu një grafik të itinerarit.
Moska nga ana e saj po i siguron Iranit – që është nën sanksione të rënda ndërkombëtare sikurse edhe Rusia – pajisje ushtarake, që sipas Kirbyt, janë të nivelit më kompleks dhe më i shtrenjtë se kurrë.
“Rusia po i ofron Iranit bashkëpunim të paprecedentë të mbrojtjes, duke përfshirë raketat, elektronikën dhe mbrojtjen kundërajrore”, tha Kirby, duke shtuar se Teherani, këtë vit, paralajmëroi marrëveshjen për të blerë avionë luftarakë Su-35 nga Rusia.
“Irani po kërkon të blejë pajisje shtesë ushtarake nga Rusia, duke përfshirë helikopterë sulmues, radarë dhe avionë luftarakë YAK-130. Në tërësi, Irani po i kërkon Rusisë pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarësh”, tha Kirby.
“Ashtu siç transferimet e dromëve i kanë vënë Moskën dhe Teheranin në shkelje të embargos së armëve, të përcaktuar në Rezolutën 2231 të OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion, për të ndërprerë partneritetin që ka qenë i dëmshëm për pjesën tjetër të botës”, tha Kirby.
“Ky është një partneritet mbrojtës krejtësisht i dëmshëm për Ukrainën, për fqinjët e Iranit dhe për komunitetin ndërkombëtar. Ne vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të ekspozuar dhe prishur këto aktivitete, duke përfshirë ndarjen e tyre me publikun – dhe jemi të gatshëm të bëjmë më shumë”, tha ai.
“Ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione ndaj aktorëve të përfshirë në transferimin e pajisjeve ushtarake iraniane në Rusi për përdorim në Ukrainë”, tha Kirby, duke shtuar se SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Evropian vendosën kufizime të reja “për të parandaluar që komponentët elektronikë, të gjetur në dronët iranianë, të arrijnë në fushën e betejës në Ukrainë”.
Qeveria merikane më vonë lëshoi një rekomandim të ri, më 9 qershor, për të ndihmuar bizneset dhe qeveritë e tjera të kuptojnë më mirë rreziqet e paraqitura nga dronët e Iranit dhe mjetet e paligjshme që përdor Irani për të blerë komponentë për prodhimin e dronëve.
“Dhe më e rëndësishmja, ne po punojmë me aleatët dhe partnerët për të siguruar që Ukraina të ketë atë që i duhet për mbrojtje dhe rindërtim, duke përfshirë ofrimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore Ukrainës, për ta ndihmuar atë të mbrojë popullin e saj”, përfundoi Kirby./ REL