Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se shkatërrimi i digës së madhe në Ukrainë do të ketë pasoja shumë të rënda për mijëra njerëz. Zyrtari i OKB-së, Martin Griffiths, tha se shkalla e katastrofës në digën Kakhovka në Ukrainën Jugore do të bëhet e qartë vetëm në ditët në vijim.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Griffiths paralajmëroi se mijëra njerëz në Ukrainën Jugore po përballeshin me humbjen e shtëpive, ushqimit, ujit të sigurt dhe mjeteve të jetesës.
Mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e përmbytura në këtë zonë pasi ekziston frika se niveli i ujit mund të rritet më tej.
Sipas mediave ukrainase, mëngjesin e kësaj të mërkure raportohet për 23 zona të përmbytura. Deri më tani, bëhet e ditur se rreth 40 mijë banorë duhet të evakuohen nga shtëpitë e tyre: 17,000 në territorin e kontrolluar nga Ukraina në perëndim të lumit Dnipro dhe 25,000 në lindjen e pushtuar nga Rusia.
Nga ana tjetër, disa banorë janë duke u përpjekur që të shpëtojnë sendet e tyre në shtëpitë ku uji ka arritur në nivele afër tavanit.
Diga Kakhovka, në rrjedhën e poshtme nga rezervuari i madh Kakhovka, siguron ujë shumë të nevojshëm për fermerët dhe banorët, si dhe për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia. Ai është gjithashtu një kanal jetik që çon ujë në jug në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për hedhjen në erë të digës të martën.