Nga Monika Stafa/
Pjesë nga parathënia e novelës ‘Nata me hënë’
‘Ishte një hap i jashtëzakonshëm. I saj dhe i epokës’
Ky pohim mund të jetë një prej kumteve të shumta mbikohore që gjenden në prozën e Ismail Kadaresë. Janë fjalët e fundme të shkrimtarit për të përshkruar veprimin e Marianës, një prej karaktereve më të njerëzishme që ai ka krijuar jo vetëm në novelën “Nata me hënë” por në tërë prozën e tij.
Fjalët e shkrimtarit e madhështojnë figurën e Marianës fare pak çaste pasi ajo e ka lënë klinikën ku kishte qenë e detyruar të shkonte për një certifikim që ajo me të drejtë e quan të padenjë.
Opinioni publik shpeshherë i ka kërkuar përgjegjësi shkrimtarit se ka qenë i kursyer në përshkrimin e mistereve të dashurisë e sidomos në shpërfaqjen e karaktereve të botës së zonjave.
Në të vërtetë nuk ka qenë kështu.
Përkundër këtij mëtimi thuajse të pakuptueshëm Mariana mund të veçohet si një prej heroinave që i bëjnë nder jo një por shumë epokave. Hapi i saj është më se epokal.
Liria mund barbarinë, qytetari mund boshësinë provinciale, fuqia e individit mund histerinë kolektive. I gjithë rendi i mendimit papritmas kthehet përmbys dhe në këtë rrotullim tronditës duket sikur jo vetëm sistemi politik por dhe mënyra e të menduarit ka lëvizur nga vendi.
Leximet tradicionale të novelës “Nata me hënë” në të shumtën e herës më kanë dëshpëruar. Çështje thashethemi, thjesht punë mbipetku, zili të rëndomta grash, një natë me hënë, një vajzë e bukur, ca të dehur dhe kaq. Sa herë që i jam kthyer e rikthyer kësaj novele gjëja e parë që kam menduar thuajse gjithnjë ka qenë se krejt në të kundërtën, I. Kadare ka krijuar karaktere heronjsh e heroinash që shuplakin sistemet e referencave; heroina të sfidave të pabujshme që arrijnë me luftën e tyre të brendshme të ndryshojnë rendin moral.
Ashtu si në epokën apostolike dy mijë vjet më parë në këtë novelë koha dhe gjindja gjykojnë pa mëshirë dhe në mënyrë kanonike-doktrinare një grua të përfolur për një bisedë duket romantike në një natë me hënë.
Vetë Marianën, vuajtja dhe ndëshkimi e mësojnë në fund të ndahet prej asaj kohe dhe gjindjeje primitive.
“Nata me hënë” është novela e dilemës së përjetshme të njerëzimit midis ngasjes jetësore dhe virtytit ungjillor, midis qenies së brendshme dhe qenies së jashtme; midis ashkëtizmit dhe shijes së jetës, midis lirisë dhe doktrinës.
Të gjykosh si në kohën e Krishtit të paravdekshëm kur puthja e tij ndaj Maria Magdalenës shqetësonte edhe vetë Shën Pjetrin ngjall trishtim. Sepse të bësh një jetë shenjtori is boring thotë Hugh Grant. Të rikrijosh duke u mbështetur në një motiv-arketip, siç e ndërton Kadare shëmbëlltyrën e gruas së përfolur të ungjijve është prova më e vështirë e krijimtarisë.
Dhe me Marianën Kadare shpërfill një rend moral. Ndaj dhe kjo nuk është vetëm sfida e saj.
Është sfida e një epoke. Sfida që i rikthehet çdo brezi si një gur sizifi.
Karakteret e I. Kadaresë nuk janë njerëz të sëmurë dhe me devijime morale. Ata janë qenie shpirtërore që kërkojnë një të drejtë fillestare: të kryejnë ego-n e tyre.
Në kërkim të lirisë si një çlirim prej dikujt tjetër.
Nga bota.
Nga pushtuesi.
Nga sundimtari apo dhe ‘miku’.
Sot njerëzimi nuk e kërkon më lirinë në një mënyrë të tillë por duke zgjeruar vetëdijen përmes “arsyetimit” të nënvetëdijes; përmes legjitimimit të pjesës parahistorike që gjendet në mendjen njerëzore.
Ndaj dhe bota shpiku shkrimtarët. Për ne Kadarenë.
Në një dialog me të u mundova jo pak te kuptoj se sa fort e kish lodhur vepra e tij në ato shtatë dekada. Kjo kolanë e re botuar prej Onufrit duket nuk do të jetë plotësisht e fundme e tij.
Ai premtoi diçka. Dicka për lexuesin e tij.
KËSHTU FOLI KADARE
M. Stafa: Z. Kadare ky botim i ri i kolanës suaj cfarë do të thotë për ju? Një çlirim apo ankth i shumëfishtë?
I.Kadare: Zakonisht një vepër në kokën e një shkrimtari është e vështirë që të jetojë dhe ka prirjen ta braktisë kokën e shkrimtari. Mendjen e tij, përfytyrimin e tij. Kështu që ndjesia e parë që duhet të ishte është një lloj qetësimi. Sepse ai nxjerr nga vetja një diçka të panxjerrshme dhe që nuk ka prirjen te jetojë jashtë tij. Sepse arti është brenda shpirtit të tij dhe nëse del e ka të vështirë të jetojë pa të. Prandaj shkrimtari duhet të kishte një lloj lehtësimi. Por unë, nuk mund të them këtë gjë. Botimi i kësaj kolane nuk është lehtësim. Sepse ti ke jetuar me të, je pjesë e tij, ai është pjesë e jotja. Është pjesë e shqetësimit tënd, e mendjes tënde, e çmendurisë tënde, është diçka që nuk ndahet dot prej teje. Është të ndahesh me veten tënde në njëfarë mënyre. Prandaj e kam të vështirë ta them, nëse është e mirë apo e keqe kjo ndjesi që kam për të.
M. Stafa: Pse thua se kam bërë letërsi në një kohë kur nuk bëhej dot letërsi?
I. Kadare: Kjo ka qenë dhe e veçanta e gjithë kësaj historie. Që unë kam shkruar, jam marrë me një profesion, me një shkrimësi, në kohën kur ishte shumë e vështirë që të merreshe me të, ose mund të merreshe gabim. Mua fati më ka mbrojtur nga kjo gjë. Më ka mbrojtur nga e keqja dhe jam i qetë. Sikurse jam i qetë, jam çliruar nga një barrë e brendshme e cila edhe të mundon, edhe të gëzon, edhe të mërzit ndonjëherë por zakonisht të bën të qetë. Ajo, shpirtin tënd prej njeriu, prej shkrimtari, prej krijese njerëzore e ushqen.
M. Stafa: Por unë besoj se kjo nuk do të jetë kolana e plotë apo jo? Ju do e plotësoni sërish..
I. Kadare: Unë herë pas here shkruaj ndonjë gjë dhe ajo që shkruaj përpiqet të inkuadrohet. Të futet në stofin e saj të brendshëm. Në shpirtin tim. Dhe për çdo njeri kjo është një lehtësim dhe një rëndim njëkohësisht. I ka të dyja.
M. Stafa: Atëherë mezi po e presim krijimin e ri. Të plotën pra gjithsesi. Faleminderit për këtë dialog të shkurtër që po I dhuron lexuesit.
I. Kadare: Unë ju falenderoj gjithashtu juve. Pa ju, pa lexuesit, çdo shkrimtar do ta kishte shumë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur ekzistencën e tij. Prandaj ju falenderoj shumë për këtë adhurimin tuaj që unë e ndjej.